Mësimi plotësues në diasporë

Diaspora e Republikës së Kosovës përfshin së paku ¼ e qytetarëve të saj. Një pjesë të madhe të kësaj mërgate e përbëjnë fëmijët dhe të rinjtë e moshës së arsimit të detyrueshëm, pjesa më e madhe e të cilëve janë të lindur jashtë Kosovës. Në MASHT të Kosovës,  prej vitit 2004, në bazë të një udhëzimi të veçantë administrativ, është duke u zhvilluar modeli i përkujdesjes/mbështetjes institucionale të mësimit plotësues në gjuhën amtare, qëllimet parësore të të cilit janë: 

ruajtja dhe zhvillimi i identitetit kombëtar,
integrimi më i lehtë në shoqëritë vendore përmes afirmimit dhe zhvillimit të identitetit  kombëtar/kulturor dhe   
integrimi më i  lehtë në shoqërinë e Atdheut, në rast të kthimit.
Janë kryer dhe vazhdojnë të kryhen veprime të interesit të veçantë, ku veçohen:

Janë identifikuar shkollat dhe format e ngjashme të organizimit institucional (që financohen nga qeveritë e shteteve ku jeton mërgata jonë) apo ato të vetorganizimit kulturor qytetar (të vetëfinancuara, komerciale apo nga donatorë joqeveritarë) të mësimit plotësues në diasporë në vende të ndryshme të botës;
Është themeluar realisht baza e të dhënave themelore për këto shkolla dhe qendra dhe format e  organizimit dhe të mbështetjes së tyre bashkë me shkallën e përfshirjes së nxënësve në to (aktualisht rezulton të  jenë  të përfshirë rreth 30.000 nxënëse dhe nxënës në MP në gjuhën shqipe);
Është hartuar Kurrikula e SHSHMP në diasporë (2007), në bërjen e së cilës kanë marrë pjesë subjekte me një përfshirje të gjerë;
Është në proces e sipër (bashkë me Shkollën e Lartë Pedagogjike të Cyrihut dhe donatorë të tjerë zviceranë) hartimi i tri  teksteve themelore mësimore të veçanta për punën me këta fëmijë dhe të rinj;
Është ndërtuar dhe zhvillohet modeli i realizimit të ekskursioneve mësimore-njohëse të nxënësve nga diaspora në Kosovë dhe anasjelltas (vazhdimisht realizohen veprimtari të tilla);
Është ndërtuar dhe zhvillohet modeli i aftësimit të vazhdueshëm profesional (trajnimit) të mësueseve e të mësuesve, kryesisht përmes seminarit vjetor që zhvillohet në Atdhe (së bashku  me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë dhe subjekte të tjera), në të cilin marrin pjesë aktive deri në 120 mësuese dhe mësues;
Janë koordinuar e kryhen veprime të interesit të veçantë me subjekte, institucione e  qarqe të ndryshme shtetërore e profesionale në interes të SHMP në  diasporë  (takime, pritje, konferenca, vizita, korrespondenca, këmbime të ndryshme, bashkëpunime brenda veprimtarive  interkulturore, kërkohen modele për shkollat verore në Atdhe gjatë pushimeve etj.),
Në vazhdimësi, edhe sipas detyrimeve/dispozitave të  Ligjit për mërgatën të Republikës së Kosovës (2010), do të thellohet mbështetja e shumanshme  SHSHMP në diasporë,  posaçërisht për të rritur shkallën e  përfshirjes, sepse ajo (shkolla) tashmë është  dëshmuar si forma më e qëndrueshme dhe më e sukseshme e përkujdesjes ndaj identitetit kulturor/kombëtar të fëmijëve dhe të rinisë së mërgatës sonë.