Ministri Bytyqi raportoi para Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut rreth nostrifikimit të diplomave të fituara në Serbi

07 Shkurt 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka raportuar sot në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut për çështjen e nostrifikimit të diplomave të fituara në universitete të Serbisë.

Shkas për këtë mbledhje ka qenë një peticion i komununitetit boshnjak, të cilët nuk arrijnë të punësohen në Kosovë, për shkak të mosnostrifikimit të diplomave, e që është obligim ligjor për punësim.

Me këtë rast, ministri Bytyqi theksoi se në procesin e nostrifikimit ka pasur probleme edhe me shtete të tjera, por, siç dihet sa i përket nostrifikimit të diplomave të fituara në Serbi ka imlikime politike. 

Ministri sqaroi se gjatë bisedimeve në Bruksel janë arritur dy marrëveshje në këtë drejtim. Marrëveshja e parë e arritur në vitin 2011 ka dhënë rezultate në këtë drejtim, ku përmes organizatës SPARK (e financuar nga BE), janë shqyrtuar një numër i madh i aplikacioneve. Ndërsa, sa i përket marrëveshjes së dytë të vitit 2016, ende nuk është arritur ndonjë rezultat për shkaqe teknike dhe politike. 

Ministri Bytyqi theksoi se janë duke u ndërmarrë hapa në këtë drejtim dhe tashmë është caktuar një koordinator nga ana e Qeverisë dhe pritet edhe emërimi i një personi përgjegjës për nostrifikimin e këtyre diplomave. 

Ministri iu përgjigj edhe pyetjeve të anëtarëve të Komisionit rreth funksionimit të Qendrës NARIC, për të cilën tha se tashmë janë evidentuar problemet që kanë shkaktuar pritjet e gjata për nostrifikim të diplomave të fituara në vende të ndryshme dhe kanë filluar të merren masat për të vënë rregull.

Gjatë këtij takimi është theksuar se në të njëjtën vështirësi ndodhen edhe shqiptarët që jetojnë në shtetin serb që kanë mbaruar studimet në Kosovë.