MASHT

Ministri Bytyqi priti në takim ambasadorin e Francës në Kosovë

21 Shtator, 2017

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi priti në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Didier Chabert, me të cilin ka biseduar lidhur me mundësinë që bashkë të vazhdojnë punën për thellimin e bashkëpunimit në mes të dy shteteve.

Ministri Bytyqi falënderoi ambasadorin Chabert për gjithë angazhimin e vazhdueshëm të Francës për ta ndihmuar Kosovën në shumë fusha të jetës, e në veçanti në arsim, ndërkaq shprehu vendosmërinë që gjendja në arsim të përmirësohet dhe në këtë drejtim kërkoi ndihmën e shtetit francez.

“Gjendja në arsim në Kosovë ka nevojë për përmirësim. Jemi të vendosur këtë gjendje ta ndryshojmë dhe në këtë aspekt kemi nevojë për ndihmën tuaj, kur dihet se arsimi në Francë është në nivel tepër të mirë”, theksoi ministri Bytyqi.

Ndër të tjera, ministri Bytyqi e siguroi ambasadorin Charbert se do të angazhohet në avancimin e mësimit të gjuhës frënge në shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës dhe në këtë mënyrë të vazhdohet tradita e mësimit të kësaj gjuhe.

Kurse, ambasadori Chabert tha se Franca gjithmonë është angazhuar që Kosova të ketë status të fortë në kuadër të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë dhe kjo është dëshmuar përmes aktiviteteve të ndryshme, të cilat kjo organizatë për vite me radhë organizon në Kosovë.

Last modified: 25 Gusht, 2022

Comments are closed.