MASHT

Ministri Bytyqi mori pjesë në Konferencën “Mësimdhënësit formojnë të ardhmen e Kosovës”

20 Tetor, 2017

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka marrë pjesë në Konferencën me temë: “Mësimdhënësit formojnë të ardhmen e Kosovës”, të organizuar nga SBAShK dhe GIZ, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve, drejtorë të shkollave, mësimdhënës dhe akterë të tjerë të përfshirë në arsim.

Me këtë rast, ministri Bytyqi, për të theksuar rolin e rëndësishëm të mësimdhënësve në etapa të ndryshme, përmendi ndryshimet që i kanë bërë mësimdhënësit gjatë historisë, përfshirë këtu uljen e shkallës së lartë analfabetizmit vite më parë, si dhe punën me nxënës gjatë viteve të 90-ta. 

Ministri tha se roli i mësimdhënësve mbetet i rëndësishëm në çdo kohë, dhe sot kur bota po ecë me hapa të shpejtë të zhvillimit, ata e kanë për obligim ofrimin e një mësimdhënie cilësore, që fëmijët dhe të rinjtë tanë të marrin njohuri për të qënë konkurrent kudo në botë. 

“Mësimdhënësit janë baza e arsimit. Sa më e fortë dhe e qëndrueshme të jetë kjo bazë, aq më i fuqishëm do të jetë sistemi i arsimit dhe si rezultat e ardhmja jonë do të jetë e sigurtë”, tha ministri Bytyqi, ndërsa ftoi mësimdhënësit që të punojnë vazhdimisht dhe të jenë të përgatitur për të siguruar arsimim cilësor.

“Do ta bëjmë maksimumin që brenda një periudhe katër vjeqare t’i identifikojmë mungesat dhe t’i plotësojmë ato me mundësitë tona buxhetore, por do të kërkojmë përkrahje edhe nga donatorët në plotësimin e nevojave, sidomos të infrastrukturës, e cila është një nga pengesat për një arsim çfarë të gjithë ne e dëshirojmë”, tha ministri Bytyqi.

Last modified: 25 Gusht, 2022

Comments are closed.