MASHT

Ministri Bytyqi hapi edicionin e 12-të të Panairit të Edukimit

19 Prill, 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka hapur sot edicionin e 12 të Panairit të Edukimit, të cilit këtë vit i është shtuar edhe pjesa e turizmit dhe sportit dhe do të jetë i hapur për vizitorë gjatë datave 19 dhe 20 prill 2018.

Në ceremoninë solemne të këtij panairi që po mbahet në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, nën patronatin e Ministrisë së Arsimit, ministri Bytyqi e vlerësoi këtë si një ditë të madhe, për fatin se po vazhdohet tradita e një panairi informues për edukimin në Kosovë.

“Gjithsesi, këtij panairi ja ka shtuar madhështinë edhe pjesa tjetër e turizmit dhe sportit”, tha ministri Bytyqi dhe theksoi se kjo traditë e panaireve, tregon se ne po vazhdojmë të përgatitemi dhe të rrisim standardet në edukim, por edhe në turizëm dhe sport dhe përveç kësaj, po sigurohen edhe informatat e nevojshme për të rinjtë.

“Ky panair do të shërbejë që të rinjtë tanë t’i kenë informatat me kohë. Në veçanti, nga ajo që po shihet këtu, kemi një pjesëmarrje të shkollave profesionale, pra ajo që është më se e nevojshme për të rinjtë tanë që të kenë informacione për këto shkolla, që të kenë informacione për orientimin në karrierë, sepse vërtetë kemi nevojë që të rinjtë tanë të orientohen drejt mundësive më të mira që i kërkon tregu dhe pas shkollimit të tyre ta kenë më të lehtë të punësohen”, tha Ministri.

Ministri Bytyqi, po ashtu theksoi nevojën e informimit të vazhdueshëm dhe vetëdijesimin e përgjithshëm për një edukim sa më të përafërt me vendet tjera të zhvilluara.

Në këtë ceremoni, pjesëmarrësit i ka përshëndetur zëvendësministri i Ministrisë së Turizmit të Malit të Zi, Qazim Hoxhiq, i cili ndër të tjera, falënderoi të gjithë ata që zgjedhin Ulqinin për të kaluar pushimet, ndërsa tha se këtë vit në Mal të Zi janë planifikuar rreth 3 milion euro investime në turizëm

Last modified: 24 Gusht, 2022

Comments are closed.