MASHT

Ministri Bajrami priti rektorin e Universitetit Shtetëror të Tetovës

16 Mars, 2016

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka pritur sot rektorin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, z. Vullnet Ahmeti, me të cilin bisedoi për mundësitë e bashkëpunimit mes këtij universiteti dhe universiteteve në Kosovë në sferën e ofrimit të programeve të përbashkëta studimore dhe në shkëmbimin e studentëve dhe mësimdhënësve.

Ministri Bajrami theksoi se tashmë Kosova iu ka dhënë shumë mundësi të rinjve për të zgjedhur profesione të ndryshme në arsimin e lartë dhe është duke punuar në drejtim të profilizimit të universiteteve publike.

Ndërkaq, ministri përmendi faktin se një numër i madh i studentëve nga Kosova tashmë studiojnë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, e po ashtu ka numër të madh të studentëve shqiptarë nga Maqedonia, të cilët studiojnë në universitetet publike e private në Kosovë. Prandaj, ai tha se një bashkëpunim edhe më i madh mes universiteteve do të ishte në të mirë të të rinjve nga të dyja vendet.

Rektori i Universitetit Shetëror të Tetovës, z. Vullnet Ahmeti theksoi se ky Universitet është i gatshëm të rrisë bashkëpunimin me universitetet në Kosovë. Ai theksoi se, Universiteti i Tetovës ka po ashtu një numër të mësimdhënësve nga Kosova, të cilët kanë ndihmuar në ngritjen e këtij universiteti dhe kanë plotësuar mungesën e kuadrit akademik.  

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.