MASHT

MAShT organizoi konferencën “Edukimi, çelës për t’u përballur me ekstremizmin dhe radikalizmin online”

2 Shkurt, 2018

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), organizoi konferencën njëditore me temën “Edukimi, çelës për t’u përballur me ekstremizmin dhe radikalizmin online”, e cila është realizuar me rastin e fillimit të Javës për internet të sigurt me moton: “Krijo, lidhu dhe trego respekt: një internet më i mirë fillon me ty”.

Duke theksuar rëndësinë e luftimit të radikalizmit dhe ekstremizmit online, kryeministri Ramush Haradinaj tha se do të jemi të vendosur dhe të bashkuar që të mos lejojmë askënd të na i marrë fëmijët. 

Kryeministri Haradinaj, tha se dikush i synon fëmijët tanë, fëmijët e këtij vendi si luftëtar të vet. “Nuk guxojmë t’i mbyllim sytë, nuk guxojmë të pranojmë që ne të jemi fushëbeteja e atyre që vinë të na i marrin fëmijët. Qëllimi i Kosovës është që t’u themi stop depërtimit, mbërritjes, marrjes së fëmijëve tanë. Dikur është vonë nëse s’e bëjmë në kohë. Pikërisht janë shkollat ku duhet të zhvillohen betejat”, tha Kryeministri.

Ndërsa, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, tha se dukuria e rrezikut nga interneti nuk po ndodh vetëm në Kosovë, por fatkeqësisht e ka përfshirë një pjesë të madhe të botës. 

Ministri Bytyqi po ashtu theksoi se, ne jemi dëshmitarë që fëmijët në mbarë botën shpenzojnë një kohë të gjatë duke përdorur internetin online, pa qenë të vetëdijshëm që ky përdorim mund t’i shkaktojë dëm shëndetit, por edhe përgatitjes së tyre. 

“Gjithë ky rrezik të cilit po i ekspozohen fëmijët tanë, po sjellë një pasiguri e cila është jo e lehtë të kontrollohet, sepse fëmijët dhe të rinjtë tanë nuk janë të vetëdijshëm për rrezikun që po ju kanoset në formën e përdorimit online të internetit. Këta të rinj nuk e kanë vetëdijen e plotë për pasojat negative qofshin ato psikologjike apo sociale, duke lënë mundësinë që të kalohet edhe në radikalizëm apo ekstremizëm të dhunshëm online”, u shpreh Ministri.

Ministri Bytyqi theksoi se jemi të angazhuar në zbatimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm që shpie në radikalizëm 2015-2020, në mënyrë që ta parandalojmë këtë dukuri negative dhe të mbrojmë fëmijët dhe të rinjtë tanë. 

“Pikë kyçe që ka ndërmarrë Ministria është fleksibiliteti i kurrikulave për temën e ekstremizmit dhe radikalizmit, trajnimi për parandalimin e dukurive negative të mbuluara me material didaktik”, tha ministri Bytyqi.

Java për internet të sigurt do të shënohet nga data 2-9 shkurt 2018, në kuadër të Ditës Botërore për internet të sigurt. Në këtë Konferencë të pranishëm ishin edhe ministra të Kabinetit Qeveritar, përfaqësues të Ambasadës së ShBA-ve, të Britanisë së Madhe dhe të Shqipërisë, kryesuesi i misionit të OSBE-së dhe përfaqësues të organizatave e institucioneve tjera vendore dhe ndërkombëtare. 

Last modified: 24 Gusht, 2022

Comments are closed.