Divizioni për planprograme dhe tekste shkollore

Divizioni i sigurimit të cilësisë

Arsimi përfaqëson fushëveprimtarinë prijëse të zhvillimeve shoqë­rore, politike dhe ekonomike të Kosovës.
Vizionin për krijimin e një shkolle bashkëkohore, sipas standardeve më të avancuara ndërkombëtare, që filloi pas përfundimit të luftës, Mi­nistria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë (MASHT) po e realizon, duke ndërmarrë hapa të gjithanshëm dhe praktikë në të gjitha fushat e veprimit.
Në këtë ndërmarrje me rëndësi historike për zhvillimin dhe për për­parimin e shoqërisë kosovare, MASHT synon të ndryshojë pikëpamjet në procesin e ndërtimit të individit me një vizion të qartë për të ardhmen e tij dhe të vendit të tij.
Kjo krijon parakushtet e nevojshme për integrimin e individit dhe të sho­qërisë kosovare në lëvizjet politike, në zhvillimet ekonomike, intele­ktua­le, shkencore e teknologjike, si dhe në zhvillimet social-kulturore të ven­deve të përparuara evropiane dhe botërore.
Zhvillimi i Planit dhe i programit mësimor mbështetet mbi bazën e një procedure të mirëfilltë shkencore, si nga forma, qasja metodologjike, or­ga­nizimi dhe ndërtimi i përmbajtjes së lëndës, ashtu edhe nga para­shtrimi i rezultateve të të nxënit, mjetet mësimore, metodat, teknikat dhe ins­trumentet e vlerësimit.
Grupet punuese profesionale për zhvillimin e planeve dhe të pro­grame­ve ishin vazhdimisht në rrjedhë të zhvillimeve të reja në arsim dhe në kon­sultim me ekspertët ndërkombëtarë. Në këtë proces të zhvillimit të planeve dhe të programeve, i cili qëndron mbi bazën e strategjisë afat­gjate të MASHT-it, ndihmë të konsiderueshme kanë dhënë UNICEF-i, agjencitë dhe qeveritë e disa shteteve. 
Vëmendje e veçantë gjatë zhvillimit të planeve dhe të programeve më­simore i është kushtuar kultivimit të qëndrimit pozitiv ndaj të nxënit, inkurajimit të nxënësve që të angazhohen në mënyrë të arsyeshme në përmbushjen e kërkesave shkollore, zhvillimit të shkathtë­sive për jetën , vlerave, qëndrimeve dhe sjelljeve.
Zhvillimi i planprogrameve të reja synon t’i përmbushë nevojat e nxënësve në harmoni me interesat e tyre për arsimim cilësor. 
Zhvillimi i planprogrameve dhe hartimi i teksteve mësimore përkatëse do të bëhet përmes një qasjeje që respekton dhe afirmon specifikat e çdo komuniteti, bashkëjetesën dhe orientimin e shoqërisë Kosovare drejt integrimeve evropiane.