Zv/ministri Sahiti mori pjesë në manifestimin “Dita e Skënderbeut në Fakultetin e Edukimit“

07 Qershor 2018

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Heset Sahiti, mori pjesë në manifestimin “Dita e Skënderbeut në Fakultetin e Edukimit“, kushtuar 550 vjetorit të kalimit në përjetësi të heroit kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeu.

Me këtë rast, zëvendësministri Sahiti, ndër tjera theksoi se shpallja e vitit 2018 “Viti i Skënderbeut “, është një moment i artë për të sjellë në vëmendjen e brezave të sotëm jetën dhe veprën e kryetrimit tonë për të cilin do të jemi krenarë gjithmonë.

“Shekuj me radhë qytetërimi i civilizuar na njeh si pasardhës të Skënderbeut, njeriut që bashkoi gjithë fiset shqiptare për t’i drejtuar në front të përbashkët për lirinë e vendit. Ai përveç luftëtarit të pashoq, kishte zotësinë e diplomatit dhe afinitetin për krijimin e aleancave, përkatësit, urave të miqësisë me fuqitë e kohës për çka u bë i admiruar dhe respektuar nga të gjithë”, tha zv/ministri Sahiti.

Zv/ministri Sahiti, gjithashtu, inkurajoi historianët që të hulumtojnë sa më shumë, të gjejnë fakte historike për të bëmat e Skënderbeut dhe kësisoj ta lartësojmë në piedestal figurën madhështore të kryetrimit tonë, njeriut që ishte dhe mbetet përherë inspirim gjithëkombëtarë për lirinë dhe shtetndërtimin e vendit.

Në fund, u shfaq një program i pasur kulturo-artistik dhe u prezantua ekspozita me piktura dhe vepra tjera artistike nga artistë të huaj kushtuar figurës së Gjergj Kastriotit  Skënderbeu.