MASHT

Zëvendësministri Mustafa vizitoi shkollën “Selman Riza” në Fushë Kosovë

18 Tetor, 2011

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Nehat Mustafa, i shoqëruar nga Udhëheqësja e Divizionit për Komunitete dhe Barazi Gjinore, Enesa Kadiq dhe Partick Schmelzer nga Komisioni Evropian, janë pritur sot në një vizitë nga drejtori Komunal i Arsimit në Fushë Kosovë, Islam Shabani, dhe drejtori i ShFMU “Selman Riza”, Sahit Dragusha.

Drejtori i Arsimit, Islam Shabani, para përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit ka folur rreth gjendjes së arsimit në këtë komunë, me fokus të veçantë në shkollën “Selman Riza”, e cila nga 1 shtatori i këtij viti ka sistemuar në klasa me nxënës shqiptarë edhe 53 nxënës të moshave të ndryshme nga komunitetet Romë, Ashkalinj dhe Egjiptian (RAE), të cilët deri tani nuk kanë qenë të regjistruar në shkollë, duke bërë kështu që kjo shkollë të prijë me numrin më të madh me rreth 500 nxënës nga ky komunitet.

Zëvendësministri Mustafa fillimisht ka vlerësuar lartë punën e Drejtorisë Komunale të Arsimit në integrimin në shkolla të fëmijëve të komuniteteve RAE.

Z. Mustafa me këtë rast ka potencuar se puna që është bërë deri tani nga Drejtoria e Arsimit në Fushë Kosovë dhe Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me Komisionin Evropian, tregon se diçka që deri tani është konsideruar e pamundur ka dalë të jetë e realizueshme dhe e sukseshme.

Zëvendësministri Mustafa ka theksuar se qëllimi i Qeverisë së Kosovës është që të bëjë gjithçka që është e mundur, që së paku shkollimin e obligueshëm t’ua sigurojë të gjithë të fëmijëve në Kosovë.

Duke shprehur përkrahjen e fuqishme të MASHT-it në evidentimin e këtyre fëmijëve, Mustafa ka thënë se kjo shkollë është institucioni nga ku mund të jepet mesazh pozitiv se ekziston një shkollë e cila e ka marrë me seriozitet problemin e shkollimit të obliguar të komuniteteve RAE.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.