MASHT

U mbajt takimi i rregullt MASHT-DKA

7 Shtator, 2011

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka mbajtur takimin e radhës me drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit (DKA). Me këtë rast, është biseduar për fillimin e vitit të ri shkollor, sukseset, sfidat dhe çështje tjera.

Zëvendësministri i Arsimit, Usmen Baldzi, ka përgëzuar DKA-të për angazhim dhe përgaditje të mirë për fillim të mbarë të këtij viti shkollor. “Ky është një proces i përbashkët dhe e keni pasur mbështetjen e MASHT-it, por natyrisht punët kryesore ishin më shumë në përgjegjësinë tuaj. Uroj për fillim të suksesëshëm dhe ju ftoj të vazhdojmë bashkëpunimin e ndërsjelltë në inters të arsimimit të brezave të rinj në Kosovë”, tha ai.

Përfaqësuesit e DKA-ve, njoftuan për gjendjen aktuale duke shtuar se mësimi ka filluar sipas kalendarit të vitit të ri shkollor me përjashtim të 3 apo 4 shkolla në shkallë vendi, të cilat ishin në proces të rinovimit, por që filluan mësimin 2 ditë më vonë. Është siguruar edhe kuadri mësimor, si dhe tekstet shkollore për nxënës nga kl 1- 9. për të gjithë nxënësit. Në disa komuna, si ajo e Prishtinës, ka numër të madh të nxënësve të interesuar për regjistrim në kl. 10 dhe u shtrua nevoja për rritje të numrit të klasëve në gjimnazin “Sami Frashëri”, gjë që do të dihet pas shqyrtimit të kësaj kërkese nga ana e MASHT-it dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave .

Ragip Gjoshi, këshilltar i ministrit Buja, njoftoi DKA-të me miratimin e dokumenteve strategjike nga ana Kuvendit të Republikës së Kosovës siç janë: Strategjia për Zhvillimin e Arsimit 2011-2016, Ligji për Arsimin Parauniversitar, Kurrikulumi i Ri i Kosovës, etj. si dhe për aktivitetet që do të zhvillohen në shenjë respkti për zhvillimin e procesit mësimor në kushte okupimi gjatë viteve 90-të. Me këtë rast, u bë e ditur se është botuar edhe një libër për shtëpitë-shkolla i autorit Bajram Shatri me titull “Arsimi Shqip në Kosovë 1990-1999”.

Në vazhdim, Selvije Halimi, këshilltare e ministrit, gjithashtu i njoftoi të pranishmit se Ministri i Arsimit, Ramë Buja, ka planifikuar që në këtë vit shkollor të fillohet me projektin “Mjedis i Gjelbëruar Shkollor”. Sipas këtij projekti, të gjtha komunat do të përzgjedhin 3 shkollat më të mira, të cilat do të shpallen me 22 prill 2012 . Ndërsa, me datë 5 qershor, MASHT do të ndajë 3 shpërblime për shkollat që janë më të suksesshme në këtë aspekt.

Në këtë takim u fol edhe për çështje të emërtimit të shkollave dhe tendencës për ndërrim të panevjshëm të emrave ekzistues.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.