MASHT

U mbajt konferenca përmbyllëse e Javës kundër braktisjes së shkollimit

20 Nëntor, 2017

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka marrë pjesë në Konferencën përmbyllëse të Javës kundër braktisjes së shkollimit, me moton “Mundësi të barabarta në arsim për të gjithë”.

Ministri Bytyqi e vlerësoi këtë ngjarje me rëndësi dhe tha se po bëhet punë e madhe që arsimi të jetë për të gjithë, ndërsa në këtë drejtim falënderoi të gjithë partnerët që kanë ndihmuar në luftimin e kësaj dukurie, e në veçanti UNICEF-in.

“Është ky një obligim që MAShT dhe të gjithë bartësit e arsimit të krijojnë kushte të barabarta për fëmijët tanë dhe të ofrojnë edukim për të gjithë”, tha ministri Bytyqi, ndërsa theksoi se politikat arsimore e kanë objektivë përfshirjen e gjithë fëmijëve në shkolla.

Pasi që përmendi se sot është përvjetori i Konventës ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve, që lidhet me të drejtën për t’u arsimuar, ministri Bytyqi theksoi se kjo na bën akoma më përgjegjës.

“Duke pasur parasysh që janë shumë faktorë që pamundësojnë vijimin e shkollës nga disa fëmijë, ne si MAShT kemi një kujdes të veçantë dhe kemi krijuar mekanizma që secilit fëmijë t’i mundësohet qasja në arsimim dhe edukim”, tha Ministri.

Ministri Bytyqi u shpreh i kënaqur që ka ulje të numrit të atyre që braktisin shkollimin dhe tha se do të punohet me të gjitha mekanizmat e krijuar tashmë që kjo përqindje të jetë zero.

Ndërsa, zv/shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, James Mugaju theksoi se është për t’u përshëndetur angazhimi i MAShT në adresimin dhe luftimin e kësaj dukurie, si dhe krijimin e kushteve për qasje të barabartë të të gjithëve në arsim

Gjatë këtyre ditëve sa ka zgjatur Java kundër braktisjes së shkollimit, MAShT ka organizuar një sërë aktivitetesh në shkollat e Kosovës. Ndërsa, sot u ndanë mirënjohje për shtatë shkolla të suksesshme të angazhuara në fushatë. Me këtë rast, këtyre shkollave iu dhurua edhe nga një projektor.

Last modified: 25 Gusht, 2022

Comments are closed.