MASHT

Të shtunën Matura Shtetërore 2011

2 Qershor, 2011

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura që ky proces të administrohet me sukses. Sivjet do të testohen rreth 30 mijë maturantë. Pyetësori është hartuar nga Komisioni përkatës dhe përbën 100 pyetje, ndërsa kalueshmëria është 50 përqind përgjigje të sakta.

Janë tri risi që e karakterizojnë procesin e sivjetmë të Maturës Shtetërore :
Së pari , në këtë proces është kyçur edhe stafi akademik i Universitetit të Prishtinës, së dyti provimi do të mbahet kryesisht në hapësira të mëdha përfshirë këtu edhe ato të UP-së, dhe së treti nxënësit që kalojnë me sukses këtë sprovë dije, nuk do të kenë nevojë të hyjnë në provim pranues për regjistrim në fakultetin e shkencave matematikore -natyrore, fakultetin e bujqësisë dhe atë të makinerisë.

Kryetari i Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës , njëherësh zëvendësministër i Arsimit, Nehat Mustafa me bashkëpunëtorë, zhvilloi sot një takim me zyrtarët e MASHT-it, të cilëve u dha udhëzimet e fundit që kanë të bëjnë me administrimin e testit. Kryetari Mustafa, bëri apel për administrim të suksesshëm dhe përgjegjësi të lartë në nivel të detyrës.

Testi do të mbahet në 101 qendra dhe fillon njëkohësisht ( ora 10:00) në të gjitha qendrat dhe zgjat 180 minuta. Nxënësit që nuk e kanë paraqitur provimin, nuk do të kenë mundësi të kyçen në këtë proces. Atyre u mbetet afati i gushtit që të sprovojnë dijen . Ndërkaq nxënësit të cilët gjatë provimit do mbajnë celularë me vete, do të përjashtohen nga provimi.

I tërë procesi do të mbështetet edhe nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës të cilët do të qëndrojnë jashtë hapësirave( objekteve) ku testohen nxënësit.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.