MASHT

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë mbajti ligjëratë para nxënësve të “Sami Frashërit”

8 Maj, 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, mori pjesë në ligjëratën që shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova mbajti para nxënësve të Gjimnazit “Sami Frashëri”, në Prishtinë në kuadër të projektit “EU-Teach-a-Day”.

Në këtë projekt, i cili filloi në “Sami Frashër” dhe do të vazhdojë me një seri bisedimesh për rëndësinë e arsimimit të mirë me nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Kosovë nga ambasadorët e vendeve të BE-së në Kosovë, ministri Bytyqi tha se

është kënaqësi të jemi në këtë shkollë, në mesin e të rinjve tanë, të cilët janë pasuria më e madhe që e ka Kosova.

Ministri Bytyqi tha se, Zyra e BE-së në Kosovë së bashku me MAShT do ta kenë një muaj të tërë angazhim, në shumicën e shkollave të Kosovës, ku do të diskutohet me të rinjtë tanë për një edukim dhe arsimim sa më të mirë në Kosovë.

Ministri Bytyqi është shprehur falënderues ndaj BE-së, e cila gjithnjë ka treguar gatishmëri për të përkrahur Kosovën në fushën e arsimit, ndërkaq tha se Ministria e Arsimit është duke vazhduar përpjekjet e saj, fillimisht në kompletimin e infrastrukturës shkollore, por edhe në ngritjen e cilësisë dhe se në këtë drejtim një obligim të madh kanë edhe mësimdhënësit.

“BE-ja vazhdimisht po na përkrahë në shumë drejtime, veçanërisht në pjesën e arsimit e ka një angazhim të veçantë dhe që vërtetë minimum çka mund t’i themi BE-së është t’i falënderojmë që po e bëjnë një punë të jashtëzakonshme për ne. Ne si MASHT e kemi për obligim që t’ju krijojmë kushte sa më të mira të rinjve tanë nëpër shkolla”, është shprehur Ministri.

Ndërsa, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova në ligjëratën e saj para nxënësve të gjimnazit “Sami Frashëri” theksoi se, Kosova ka një përqindje të lartë të të rinjve, prandaj duhet një edukim cilësor, sepse ata janë e ardhmja e vendit.

Apostolova tha se arsimimi i mirë rritë zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.

Last modified: 23 Gusht, 2022

Comments are closed.