MASHT

R E A G I M

28 Dhjetor, 2011

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) i vlerëson të paqëndrueshme konstatimet e grupit të ekspertëve të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe i konsideron si përpjekje për të minimizuar sukseset e shënuar nga MAShT.

Në raportin e progresit të Komisionit Evropian janë theksuar përparimet që janë bërë në sferën e arsimit dhe kjo është një dëshmi se sektori i arsimit ka pasur sukses.

Sipas rezultateve të shënuara, MAShT vitin 2011 e ka cilësuar si vit të suksesit, të transparencës dhe zbatimit të plotë të Ligjit. MAShT ka qenë i hapur ndaj medias dhe asnjëherë nuk është përballur me ndonjë kundërshtim të vendimeve të marra gjatë këtij viti.

Rikujtojmë ‘ekspertët e LDK’ se gjatë vitit 2011, MAShT ka përmbushur një varg investime kapitale:


– Qeveria e Kosovës gjegjësisht MAShT bazuar në numrin e nxënësve në kontinuitet ka hartuar Planin Strategjik të investimeve kapitale në fushën e arsimit. MAShT gjatë vitit 2011 ka ndërtuar dhe arritur të përfundojë investimet në 6 godina shkollore, prej të cilave 4 janë shkolla fillore, 1 është shkolle e mesme teknike dhe 1 është Qendër burimore- shkollë speciale. Ndërsa punimet vazhdojnë në ndërtimin e 34 objekteve shkollore (19 shkolla të mesme, një objekt i punëtorive për shkollën e mesme dhe 14 shkolla fillore). Në vitin 2012 pritet të fillojnë punimet me bashkëfinancim edhe në 4 objekte shkollore. Në investimet për vitin 2012, në komunat që qeverisë LDK-ja MAShT ka paraparë investime që kapin vlerën prej 3,202,500.00 euro. Në komunat ku qeverisë AAK, MAShT për vitin 2012 ka paraparë ndërtimin e objekteve shkollore që kapin vlerën prej 3,810,000.00.

– MAShT është e përkushtuar në rrugën e saj drejt reformimit të sistemit arsimor, ku ka shënuar hapa krucial, që edhe në Raportin e Progresit janë evidentuar si pozitive: miratimi i Ligjit të Arsimit Parauniversitar, miratimi i Ligjit të Arsimit të Lartë, miratimi i Strategjisë së Zhvillimit të Arsimit 2011-2016, miratimi i Kornizës së Kurrikulës për Arsimin Parauniversitar, Korniza e Kualifikimeve Kombëtare dhe Standardet për Fëmijërinë të Hershme 0-6.

– Gjithashtu, janë bërë punë të mëdha në aftësimin dhe trajnimin profesional të mësimdhënësve. Është shënuar rritje në përfshirjen në arsim në të gjitha nivelet dhe pothuaj është parandaluar tërësisht dhuna në institucionet arsimore.

– Sa i përket akuzës për politizimin e arsimit, ua rikujtojmë ekspertëve të LDK, se arsimi parauniversitar me Ligjin e Vetëqeverisjes Lokale dhe Ligjin për Arsimin në Komuna tërësisht ka kaluar në kompetencë të komunave dhe përzgjedhja e kuadrit mësimor dhe drejtorëve të shkollave bëhet nga Drejtoritë Komunale të Arsimit.

– Qeveria e Kosovës dhe MAShT pas përmirësimit të dukshëm të pozitës materiale të mësimdhënësve në universitet, ka arritur t’ua kthejë dinjitetin mësimdhënësve të arsimit parauniversitar duke rritur 50 për qind të ardhurat personale. Ndërkaq, për dy muajt e mbetur borxh, Ministri Buja në takimin e fundit më Këshillin e Përgjithshëm të Sindikatave të Arsimit ka thënë se vendimi mbetet në fuqi dhe do të realizohet në rastin e parë të mundshëm, me çka janë pajtuar edhe anëtarët e Këshillit.

– “Ekspertët e LDK’ kërkojnë vlerësim të teksteve para se të ndryshohet kurrikula, por rikujtojmë se është vlerësim i paqëndrueshëm profesionalisht. MAShT ka hartuar Kurrikulën bashkëkohore, e cila do t’ju paraprijë kurrikulave bërthamë, programeve lëndore e më pastaj teksteve mësimore.

– Ndërkaq, sa i përket përfshirjes në arsimin parashkollor, përveç përfshirjes së 42 shkollave ku janë klasat e arsimit parashkollor me kurrikulën e re kjo do të bëhet në çdo shkollë.

– Akuzat për manipulim të tekstit të maturës janë akuza politike. MAShT ka qenë organizator i një konferencë ndërkombëtare për vizionin e maturës 2015, që nënkupton përkushtimin e MAShT për një reformim. Ministri Buja ka synim që të ndajë maturën profesionale nga ajo e përgjithshme. Ndryshe, testi është realizuar në dy afate dhe numri i maturantëve që kanë kaluar këtë test është 42 për qind.

– Në vitin 2005, Këshilli i Evropës ka kërkuar rishikimin e teksteve të historisë. Sqarojmë edhe njëherë se nuk do të ndryshohet asnjë shkronjë pa diskutim publik dhe pa mendim të ekspertëve.

– Ministria ka lejuar rritjen për 5 për qind të regjistrimit të studentëve në Universitetin e Prishtinës.

Tekstet shkollore janë botuar në vijimësi sipas Ligjit për Botimin e Teksteve Shkollore, Mjeteve Mësimore, Lekturën shkollore dhe Dokumentacionit Pedagogjik. MAShT ka lejuar për botim të shumtën e herës më shumë se një tekst mësimor për një lëndë mësimore, por për shkaqe të vështirësive administrative dhe kostos, nuk mund të jepen falas të gjitha librat alternative që janë botuar. Një komision i veçantë i MAShT ka përzgjedhur librat me më shumë recensione pozitive nga dy shtëpitë botuese dhe i ka autorizuar ato t’i shpërndajnë nëpër shkolla. Megjithatë, Libri i Leximit 6 është shpërndarë nga Libri shkollor, edhe pse është botim i ALBAS. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se mësuesve, udhëheqësve të shkollave dhe prindërve u është ndaluar që të punojnë edhe me tekstet alternative, të lejuara nga MAShT. Kthimi i teksteve të padëmtuara në shkollë rregullohet me Udhëzimin Administrativ 34/2008 (Furnizimi me tekste shkollore falas, përdorimi dhe ruajtja e tyre. Neni 7, pika 1 e këtij UA thotë: “Nxënësit dhe prindërit janë përgjegjës për ruajtjen e teksteve shkollore”, ndërsa pika 2 thotë: “Nxënësit në fund të vitit mësimor i kthejnë në shkollë tekstet në gjendje të rregullt”. Për çdo vit, MAShT-i kërkon leje nga Agjencioni i Prokurimit Publik (APP) për aprovimin e procedurave të negociuara, pa publikim të njoftimit për kontratë, për negocimin e çmimeve prej atyre që janë në treg, për blerjen e librave nga dy kompanitë fituese, tekstet e të cilave janë zgjedhur sipas vlerësimit të recensentëve të dorëshkrimeve të tyre.

– Trajnimet e mësimdhënësve do të bëhen në vazhdimësi me programin ECDL dhe avancimin e mësimdhënësve që kanë shkollën e lartë. Është në hartim e sipër dinamika e zbatimit të kurrikulës

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.