Publikohen rezultatet e Testit të Maturës 2018, kalueshmëria 73.3 për qind

21 Qershor 2018

Komisioni Shtetëror i Maturës (KShM), ka mbajtur sot konferencë për media ku është bërë publikimi i rezultateve të Maturës Shtetërore 2018, sipas të cilave këtë vit kalueshmëria ka arritur shifrën 73.3 për qind.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi me këtë rast ju ka uruar sukses të gjithë maturantëve në regjistrimin e tyre, në drejtimet të cilat ata janë përcaktuar, ndërsa ka theksuar se këtë vit është shënuar sukses sa i përket mbarëvajtjes së testit dhe nxjerrjes së rezultateve reale.

“Nga rezultatet të cilat i kemi, kalueshmëria në pjesën e parë të Testit të Maturës 2018 është 73.3 për qind. Kemi një shkallë më e lartë e arritshmërisë te pjesa e testit në gjuhën shqipe. Në gjuhën boshnjake kalueshmëria është 88.7 për qind, ndërsa në gjuhën turke 56.6 për qind”, ka thënë ministri Bytyqi.

Ministri Bytyqi pasi ka falënderuar Komisionin Shtetëror të Maturës, DKA-të, drejtorët e shkollave, komisionerët, administratorët dhe të gjithë të tjerët të cilët kanë kontribuuar në  procesin e mbarëvajtjes së tetit, ka theksuar se Testit i Maturës 2018 ka arritur të dalë me rezultate reale dhe këto të dhëna të shërbejnë për marrjen e hapave të nevojshëm për ngritjen e cilësisë.

 

Ministri Bytyqi ka thënë se është shënuar sukses në mbarëvajtjen e testit përkundër tentimeve për ta prishur imazhin e Testit të Maturës, ndërsa sa ka bërë të ditur se KShM  javën e ardhshme do të mblidhet dhe do të caktojë datën se kur do të mbahet pjesa e dytë e testit.

Nga procesi i Testit të Maturës 2018,  për shkak të shkeljeve që janë shënuar, është anuluar testi për 87 nxënës, ndërsa për shkak të shkeljeve të vendimeve të MASHT-it, nga procesi i administrimit janë larguar 8 administratorë.

Këtë vit maturantët do të pajisen me certifikatë të re, e cila do të jepet falas nga Ministria e Arsimit.