MASHT

Një delegacion i MASHT-it qëndroi për vizitë zyrtare në SHBA

30 Shtator, 2011

I kryesuar nga zëvendësministri i arsimit, z. Nehat Mustafa, një delegacion i MASHT-it për pesë ditë më radhë ka qëndruar në shtetin e Vërmontit të SHBA-ve. Vizita, e cila u realizua nga data 26-30 shtator, kishte karakter studimor dhe hulumtues, me ç’rast delegacioni kosovar pati takime edhe me instanca më të larta të udhëheqjes arsimore të këtij vendi, si Komisionerin për Arsim të shtetit të Vërmontit z.Armando Vilaseca, zv.komisoneren Rea Ann Knopf, pastaj drejtorë të departamenteve lokale të qytetetve të St. Johnsbury-t, atij të Bërlingtonit dhe të Montepelierit, udhëheqës nga Universiteti i Vermontit etj.

Gjatë qëndrimit të tyre, delegacioni kosovar ka zhvilluar disa vizita të karakterit hulumtues dhe studimor në shumë shkolla të niveleve të ndryshme të St. Xhonsberit (St. Johnsbery), të Bërlingtonit, Montepelierit, ku u shkëmbyen përvojat në fushën e inspektimit të arsimit, përkatësisht në atë të performimit të dijeve në vlerësimin e performancës si dhe të licencimit të arsimtarëve të shkollave fillore, të mesme të ulëta dhe të mesme të larta.

Gjatë takimeve të tij zv/ministri Mustafa paraqiti nevojën dhe mundësinë e përfshirjes së studentëve kosovarë në universitetet e Vërmontit , si dhe të thellimit të bashkëpunimit në mes dy shteteve në këtë fushë.

Në ditën e fundit të qëndrimit të tij në shtetin e Vërmontit, delegacioni kosovar pati një takim edhe më përfaqësuesit e Taskforcës për Edukim të këtij shtetit, nga të cilët pranoi disa dokumente të rëndësishme, të cilat do të shërbejnë si model gjatë procesit të vlerësimit të performancës së arsimtarëve kosovar dhe procesit të licencimit të tyre.

Se vizita ishte mjaft serioze dhe e karakterit ndërshtetëror, këtë e tregon edhe përbërja e saj, ku, përveç zëvendësministrit, morën pjesë edhe sekretari i përhershëm i MASHT-it, z. Xhavit Daka, drejtori i Departamentit të Inspektimit, z. Dëfrim Gashi, kryesuesi i Kolegjiumit të drejtorëve të drejtorive komunale të arsimit të Kosovës, z.Azem Guri, pastaj 7 inspektorë të arsimit që janë edhe anëtarë të Njësisë për vlerësimin e përformancës së arsimtarëve të Kosovës, z. Enver Grainca, kryesues, Besim Muhadri, Besim Avdimetaj, Besa Halimi Zagragja, Esfere Sherifi, Shenaj Bashota dhe Skënder Zeneli, inspektorë.

Vizita u mundësua nga Banka Botërore, por u ndihmua edhe nga zonja Nikolle Sagnior, e cila gjatë tërë kohës shoqëroi delegacionin kosovar si dhe nga konsulenti i projektit, z. Blerim Saqipi.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.