MASHT

Ministri i Arsimit vizitoi komunat e Kllokotit dhe Parteshit

6 Tetor, 2011

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, i shoqëruar nga zëvendësministri i Arsimit, Serboljub Djokiç dhe bashkëpunëtorë të tjerë, ka vizituar sot komunat e Kllokotit dhe të Parteshit, ku është pritur nga kryetarët e këtyre komunave multietnike, nga të cilët është njoftuar me zhvillimin e procesit arsimor, të arrituat, sfidat dhe problemet.

Gjatë vizitës në Kllokot, ministri Buja, fillimisht është pritur nga kryetari i kësaj komune, Sasha Mirkoviç, ndërsa, pas takimit ministri Buja është shprehur se është i kënaqur me atë që është duke u bërë në procesin e arsimit në këtë komunë multietnike.

Ministri theksoi se është informuar nga kryetari i komunës së Kllokotit, dhe nga drejtori i arsimit i kësaj komune, Moma Stojkoviç, për zhvillimet, të arriturat, por edhe me sfidat dhe problemet me të cilat po ballafaqohet kjo komunë e re e formuar mbi bazë të decentralizimit në Kosovë.

“Nga kryetari i komunës Sasha Mirkoviç, u njoftova për fillimin e vitit të ri shkollor, për procesin mësimor që po zhvillohet në këtë komunë si dhe për përpjekjet dhe përkushtimin që kanë institucionet komunale për integrimin e pjesëtarëve, përkatësisht qytetarëve serb në institucionet e Kosovës”, tha ministri Buja, i cili u shpreh se është njoftuar nga kryetari i Kllokotit edhe se kjo komunë mund të merret edhe si shembull për një integrim të tillë, ngase në këtë komunë funksionon dhe punon shkolla fillore në Mogillë, e cila është multietnike, ku nën një kulm mësojnë dhe vijojnë mësimin nxënës shqiptar dhe serbë.

Ministri Buja u shpreh i kënaqur me të arriturat që janë bërë në arsimin e kësaj komune dhe inkurajoi udhëheqësinë komunale që të punojnë në drejtim të integrimit të qytetarëve në insitucione të Kosovës.

Sasha Mirkoviç, kryetar i Kllokotit, pasi falenderoi ministrin Buja për vizitën tha se në komunën që udhëheqë ai janë bërë hapa të konsiderueshëm për integrime. Sipas tij dhe pse në këtë drejtim ende nuk është arrituar e dëshirueshmja, ky proces do të vazhdojë dhe theksoi angazhimin e tij dhe bashkëpunëtorëve që kjo çështje të zgjidhet në të mirë të dy komuniteteve.

I shoqëruar nga kryetari Mirkoviç, ministri Buja më pas ka vizituar shkollën fillore multietnike “Gjon Serreçi” në Mogillë, ku janë pritur nga menaxhmenti i shkollës dhe nxënësit. Për vijimin e procesit mësimor në këtë shkollë ministrin Buja e ka njoftuar drejtori i kësaj shkolle Fatmir Hetemi, i cili ndër të tjera, theksoi se në këtë shkollë nuk ka probleme dhe se mësimi zhvillohet normalisht nga nxënësit e të dy komuniteteve.

Më pas ministri Ramë Buja, vizitoi edhe Komunën e Parteshit, ku u prit nga kryetari Nenad Cvetkoviç. “Unë sot me kënaqësi vizitova këtë komunë që është e re dhe sinqerisht u ndjeva mirë që ka rezultate të dukshme, të shënueshme dhe rezultate që flasin shumë. Unë inkurajova kryetarin që do të ketë mbështetje të vazhdueshme të Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit pa asnjë dilemë. Këtu nuk mund të flasim më në janë apo nuk janë të integruar komuniteti serbë, sepse në fakt, këtu integrimi është realizuar”, tha ministri Buja, pas takimit. 
Ndërsa, kryetari Cvetkoviç falenderoi ministrin për vizitën si dhe për mbështetjen, ndërsa tha se komuna që udhëheqë ai, ballafaqohet me probleme, por të cilat nuk janë probleme të mëdha dhe të pazgjidhshme.

Në pyetjet e gazetarëve rreth integrimit të komunitetit serb në sistemin arsimor të Kosovës, ministri Buja theksoi bindjen se ky problem do të zgjidhet, por për këtë duhet kohë dhe vullnet edhe politik. Ministri theksoi se tashmë është nënshkruar nga ministri i Arsimit Korniza e Kurrikulës së Arsimit Parauniversitar, e cila shpejt do të përkthehet në gjuhën serbe dhe do ta kenë të gjitha komunat dhe drejtoritë komunale. “Do ta analizojmë këtë gjë, se si të ecim në mënyrën më të mirë të mundshme, që edhe nxënësit të integrohen në procesin mësimor pa cënuar asgjë nga ajo që është traditë dhe kulturë”, tha ministri Buja.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.