MASHT

Ministri Hoxhaj vizitoi qendrën e SOS Fshatrave të Fëmijëve

29 Dhjetor, 2010

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, vizitoi Qendrën e SOS Fshatit të Fëmijëve në Prishtinë, me ç’rast ju shpërndau fletushka dhe libra të ilustruara fëmijëve me rastin e festave të fundvitit

Këtu gjejnë mbështetjen dhe përkujdesjen e duhur fëmijë të moshave të ndryshme, të cilët për shkaqe të ndryshme janë braktisur, kanë ngelur pa kujdesin e duhur të prindërve, ose janë fëmijë me nevoja të veçanta si dhe fëmijë të familjeve me asistencë sociale.

SOS – Fshati i Fëmijëve të Kosovës është themeluar pas luftës dhe deri më tani kanë shkuar në adoptim, apo kanë fituar strehim familjar mbi 400 fëmijë të braktisur, të cilët kanë frekuentuar në këtë qendër.


Me këtë rast, ministri Hoxhaj ndër tjera tha se ka dashur që të ndajë më këta fëmijë gëzimin e Vitit të Ri, të ju ndajë nga një dhuratë modeste dhe në të njëjtën kohë të rikujtoj se këta fëmijë janë shtresa më e pafajshme dhe do ta kenë mbështetjen shtetit të Kosovës.

“Për mua si Ministër i Arsimit, është me rëndësi që t’u ofrojmë të gjithë fëmijëve parashkollor dhe të rriturve arsim sa më cilësor të standardeve bashkëkohore, norma pedagogjike sa më të larta dhe standarde rreth socializmit, humanizimit dhe integrimit të tyre në jetë, në përputhje më atë që praktikohet edhe në vendet e Bashkimit Evropian”, theksoi ministri Hoxhaj .

Ministri Hoxhaj tha se në mbledhjet e para të qeverisë së re, MASHT-i, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Shëndetësisë, do të ndajnë një buxhet për këtë fshat, për një të ardhme më të sigurt dhe stabile të tij.

Ministri Hoxhaj përmendi faktin se studimet flasin për atë se braktisja e fëmijëve ne Kosovë, nuk është në rritje dhe në të njëjtën kohë është rritur vetëdija e qytetarëve për adoptimin e tyre. Ndërsa, ai përgëzoi stafin kujdestar e profesional të këtij fshati, për të cilët tha se kryejnë një mision të shenjtë.

Nezahate Salihu, drejtoreshë e Qendrës, ka falënderuar ministrin Hoxhaj për vizitën dhe shprehu besimin se kjo vizitë do të ndikojë në shtimin e kujdesit të shtetit ndaj këtyre fëmijëve.

Znj. Salihu shpjegoi organizimin funksional të këtij fshati. Ajo theksoi se SOS Fshati i Fëmijëve ka 5 projekte dhe secili është projekt në vete. Kopshti ka 130 fëmijë , prej të cilëve në SOS janë 33 fëmijë nga mosha 1-3 vjeç pa përkujdesje prindërore, ndërkaq numri frekuentues i kësaj kategorie në qendra transite është 24. Ekziston edhe projekti në terren ku punohet me familje që janë në asistencë sociale, rreth 90 sosh me rreth 300 fëmijë. Ndërkaq, projekti i pestë është projekt që nuk ka nevojë për mbështetje financiare ngase është në rang të Komisionit Evropian, fjala është për festivalin e i fëmijëve përmes të cilit kanë qenë përfitues rreth 25 mijë fëmijë vetëm gjatë këtij viti.

Fëmijët e rritur vijojnë mësimet e rregullta në institucionet arsimore të Kosovës dhe sipas përgjegjësve të këtij institucioni, e gëzojnë mbështetjen e SOS -it, deri në pavarësimin e tyre financiar.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.