MASHT

Ministri Hoxhaj po merr pjesë në Forumin e Liderëve të Arsimit në Varshavë

7 Korrik, 2010

Me ftesë të Ministrisë për Shkencë dhe Arsim të Lartë të Republikës së Polonisë, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, po merr pjesë në Forumin e Liderëve të Arsimit (forum në nivel ministrash të vendeve të ndryshme të botës), i cili po zhvillohet gjatë ditës së sotme dhe të nesërme në Varshavë.

Ky forum me temën “Fuqizimi i kreativitetit të studentëve dhe inovacioni si qelës për edukimin global”, po mbahet nën patronatin e Ministrisë për Shkencë dhe Arsim të Lartë të Republikës së Polonisë dhe në të marrin pjesë ministrat e arsimit të shumë vendeve të botës. Në të janë të përfaqësuara 43 vende dhe 153 delegatë.

Gjatë këtyre dy ditëve, Forumi do të merret në mënyrë intensive me çështjet që kanë të bëjnë me rolin e arsimit postsekondar dhe arsimit të lartë në adresimin e problemeve ekonomike dhe sociale të botës. Përveç kësaj, debati është i fokusuar rreth dijes, shkathtësive dhe njohurive që duhet t’i kenë gjenerata e re në shekullin 
21, me qëllim të zvogëlimit të varfërisë dhe zhvillimit ekonomik të këtyre vendeve.

Ndër çështjet kryesore të kësaj konference është edhe trajtimi i rolit që ka teknologjia e informacionit në mësimdhënie dhe mësimnxënie, si dhe roli që ka ajo në punësim dhe në zhvillim ekonomik.

Të gjitha vendet e botës janë të përkushtuara që së pari të sigurojnë qasje të barabartë dhe ta rrisin pjesëmarrjen në arsim për të gjithë qytetarët, së dyti, sistemet arsimore të jenë sa më inovative dhe së fundi, të dyja këto t’i shërbejnë rritjes së punësimit brenda një shteti dhe ta bëjnë këtë shtet të jetë në gjendje të konkurrojë me të tjerët në botë.

Përveç pjesëmarrjes në Forum, ministri Hoxhaj, gjatë pasdites, është takuar me ministren për Shkencë dhe Arsim të Lartë të Polonisë, Barbara Kudrycka, si dhe me ministren për Arsim dhe Shkencë të Kanadasë, Diane Mcgifford. Në të dy takimet, ministri Hoxhaj ka theksuar nevojën e bashkëpunimit të Kosovës me këto dy shtete.

Ministri Enver Hoxhaj, po ashtu është takuar edhe me këshilltarin e lartë të nënsekretarit të Departamentit të Shtetit, Hal Plotkin si dhe presidentin për arsim të Koorporatës së Microsoft-it (Microsoft Cooperation), Jean Philippe Courtise.

Gjatë ditës, ministri Hoxhaj do të ketë edhe takime të tjera me ministra të vendeve të ndryshme.

Bashkorganizator të Forumit të Liderëve të Arsimit është UNESKO-ja, Europian Schoolnet dhe Microsoft.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.