MASHT

Ministri Hoxhaj: Pack çdoherë ka pasur qëndrimin se Kosova duhet të jetë e pavarur

3 Nëntor, 2010

Jemi mbledhur në Universitetin e Prishtinës që ta dëshmojmë, përkushtimin, obligimin ndaj një mikeshe të madhe të Republikës së Kosovës, ndaj një deputeteje të veçantë të Parlamentit Evropian, zonjës Doris Pack. Kështu është shprehur sot ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Enver Hoxhaj, në solemnitetin e organizuar nga Universiteti i Prishtinës (UP), ku eurodeputetes Pak, i është ndarë titulli “Doctor Honoris Causa”.

Ky titull i është ndarë zonjës Pack nga UP-ja për kontributin e jashtëzakonshëm në fushën e arsimit, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për përkushtimin dhe kontributin e dhënë në Parlamentin Evropian për çështjen e Kosovës dhe për mbështetjen e gjithëmbarshme dhe të vazhdueshme për njohjen dhe afirmimin e Republikës së Kosovës.

Ministri Hoxhaj, duke folur për mbështetjen e eurodeputetes Pack ndaj shtetit të Kosovës, tha se në këto raste duhet të jenë objektiv dhe jo indiferent. “Duke qenë më shumë se 20 vite deputete në kohën e okupimit të rënd ajo çdoherë çështje e pazgjidhur të Kosovës e ka kuptuar si padrejtësi historike dhe si fatkeqësi politike. Çdoherë qëndrimi i saj ka qenë se një padrejtësi e vjetër nuk duhet të zëvendësohet me një përgjegjësi të re dhe që e vetmja zgjidhje për Kosovën është pavarësia e plot e saj “, është shprehur Hoxhaj, ndërsa ka theksuar se Pak çdoherë ka pasur qëndrimin se Kosova duhet të jetë e pavarur.

Rektori i UP-së, Mujë Rugova, tha se Doris Pack ka merita të veçanta për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës si dhe për proceset demokratike e eurointegruese në vendin tonë. Ai vlerësoi lartë kontributin e zonjës Pak duke thënë se ajo kontribuoi në zhvillimin e marrëdhënieve njerëzore duke bërë përpjekjet të pa rreshtuara për avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe ruajtjen e vlerave të demokracisë.

Ndërkohë, që Doris Pack pas marrjes së këtij çmimi nga UP-ja, ka shprehur falënderimin e saj duke thënë se është ky çmim është një nder i madh për te.

Ajo tha se e kishte të vështirë t’i frenonte emocionet dhe krenarinë që po ndjente, duke porositur profesorët, studentët dhe gjithë klasën e politike të punonin për ta çuar Kosovën përpara dhe drejt synimeve e idealeve evropiane. Pack është shprehur e lumtur që tash, 21 vjet pas ardhjes së parë në këtë vend, mund të jetojë një kohë tjetër, ku njerëzit ndjehen të lirë.

Eurodeputetja Pack tha se në Kosovë ekziston një numër i madh i popullsisë së re. Arsimi duhet të jetë prioritet i të gjitha aktiviteteve politike në këtë vend, tha zonja Pak, duke shtuar se Universiteti duhet të ketë lidhje të forta me Universitetet e tjera botërore.

Ndërsa, eurodeputetja Doris Pack ka siguruar kosovarët se do të kenë shans të njëjtë sikurse edhe vendet e tjera që të aderojnë në Bashkimin Evropian, porse për këtë nevojitet shumë punë dhe se BE-ja nuk mund të japë datën se kur mund të ndodhë një gjë e tillë.

“Dua t’ju siguroj se procesi i zgjerimit të BE-së është duke vazhduar dhe se Kosova do të ketë shansin e njëjtë sikur edhe vendet e saja fqinje që të bëhet vend anëtar i BE-së, pa dyshim. Secili vend i Ballkanit Perëndimor do të jetë i mirëpritur, nëse i përmbushin kriteret e Kopenhagës dhe të implementojnë ligjet evropiane”, ka thënë Pack.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.