MASHT

Ministri Hoxhaj: Kosova nuk duhet të imagjinohet pa mësimin e gjuhës angleze

10 Shtator, 2010

Përmes mësimit të gjuhës angleze, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësinë që të lidhen me ekonominë e botës dhe në asnjë mënyrë nuk do të mbetemi vend i izoluar dhe popull i margjinalizuar. Kështu është shprehur sot ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, në konferencën me temë: “Vendosja e standardeve të gjuhës angleze si gjuhë e huaj në arsimin fillor dhe të mesëm të Kosovës”.

Ministri Hoxhaj theksoi se kjo konferencë është shumë e veçantë, sepse do të ketë një ndikim të veçantë në sistemin arsimor në Republikën e Kosovës, pasi që “gjuha angleze është gjuha më e rëndësishme në botë dhe për qytetarët e Kosovës nuk është vetëm një gjuhë e rëndësishme, por është edhe një fuqi”. Prandaj, ai theksoi se është përkushtim i Qeverisë së Kosovës që mos ta paramendojmë Republikën e Kosovës pa mësimin e mirëfilltë të gjuhës angleze.

Ministri Hoxhaj tha se Kosova nuk duhet të imagjinohet pa mësimin e gjuhës angleze, pasi që gjuha angleze është mjet i fuqishëm i emancipimit politik dhe i zhvillimit ekonomik, i komunikimit tonë kulturor dhe ndërkulturor.

Pasi që theksoi se me këtë konferencë po fillon implementimi i reformës, ministri Hoxhaj tha se për ne si vend i ri, përmes mësimit të gjuhës angleze, lidhemi me botën, me tregjet e botës, me ekonominë e botës dhe në asnjë mënyrë nuk do të mbetemi vend i izoluar dhe populli i margjinalizuar.

“Kjo konferencë dhe gjuha angleze, për të cilën ne jemi shumë të përkushtuar si Ministri e Arsimit, që të jetë gjuhë e parë pas gjuhëve amtare në shkollat tona të Kosovës, ndodhë edhe në një rrafsh shumë më të gjerë. Sot me këtë konferencë ne fillojmë implementimin e reformës më rrënjësore që ka pësuar sistemi jonë arsimor: reformimin e Kurrikulumit të Kosovës”.

Duke folur për ndryshimet që do të sjellë Korniza e re e Kurrikulumit në sistemin tonë arsimor, ministri Hoxhaj theksoi edhe faktin se kjo Kornizë parasheh që gjuha angleze të ofrohet nga klasa e parë si gjuhë obligative, ndërsa parasheh edhe vëllimin, përmasat, hapësirën që duhet t’i kushtohet gjuhës angleze nga klasa e parë.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Andy Sparks tha se gjuha angleze është një qelës i artë për të ardhmen e Kosovës si një shtet i ri me pretendime drejt të ardhmes evropiane.

“Çelësi për të shkuar drejt të ardhmes evropiane është njohja e gjuhës angleze dhe internetit. Gjuha angleze është gjuha e biznesit dhe në një mënyrë do t’u mundësojë qytetarëve të realizojnë të ardhmen e tyre”, theksoi ai.

Kurse, profesori i Universitetit të Kembrixhit, Obe Bob bëri një prezantim të standardeve të gjuhës angleze, duke thënë se kjo gjuhë do të mundësojë komunikimin e qytetarëve të Kosovës me botën.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.