MASHT

Ministri Bytyqi vizitoi kandidatët për studentë në Fakultetin Ekonomik të UP-së gjatë provimit pranues

19 Shtator, 2017

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka vizituar kandidatët, të cilët i janë nënshtruar provimit pranues (afati i dytë), në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Ministri Bytyqi është pritur nga rektori Marjan Dema dhe nga dekani i këtij fakulteti But Dedaj, të cilët i uruan detyrën e ministrit, njëherësh shprehën gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë me qëllim të ofrimit të studimeve kualitative për të rinjtë tanë.

Në vazhdim, ministri Bytyqi i shoqëruar nga rektori dhe dekani , kanë vizituar kandidatët për studentë në Fakultetin Ekonomik, të cilët sot iu nënshtruan provimit pranues. Me këtë rast, ministri Bytyqi është shprehur se, sot është një ditë e rëndësishme për të gjithë ata që dëshirojnë të regjistrohen në Fakultetin Ekonomik, ndërsa ata që do të kenë fatin të bëhen studentë të këtij fakulteti, i porositi që të kërkojnë shumë nga profesorët, të bashkëpunojnë dhe të bëhen profesionistë të zotët.

Ministri Bytyqi tha se, sot kërkohet që edukimi i të rinjve tanë të jetë i standardeve evropiane, të jetë një studim i cili do t’iu garantojë punë në të ardhmen. “Në këtë aspekt, ne mbështesim Universitetin e Prishtinës dhe jemi të sigurt se ky institucion, së bashku me Ministrinë dhe institucionet tjera do ta bëjë më të mirën e mundshme që të sigurojnë një kualitet të edukimit profesional”.

Ministri Bytyqi, në fund ka uruar për suksese kandidatët për studentë, njëherësh ka përgëzuar stafin e Fakultetit Ekonomik për përgatitjet që kanë bërë në lidhje me këtë proces.

Ndryshe, me konkursin e dytë për pranim në UP, do regjistrohen 1353 studentë, kurse kanë aplikuar 1484 studentë. Fakulteti Ekonomik gjatë këtij viti akademik në total do të pranojë 1905 studentë.

Last modified: 25 Gusht, 2022

Comments are closed.