MASHT

Ministri Bytyqi vizitoi Drenasin, komunë në të cilën sot ka përfunduar testi PISA

26 Prill, 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka vizituar komunën e Drenasit, komunë ku sot ka përfunduar testi PISA, i cili ka filluar me datën 11 prill, dhe është mbajtur në të gjitha shkollat e përzgjedhura për organizimin e këtij testi ndërkombëtar.

Ministri Bytyqi, fillimisht është pritur nga nënkryetari i Komunës së Drenasit, Gani Syla, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në arsim, përpjekjet për ngritjen e cilësisë, por edhe për nevojën që kanë shkollat e kësaj komune për pajisjen e kabineteve, salla sportive dhe zgjerim të infrastrukturës.

I shoqëruar nga nënkryetari Syla, ministri Bytyqi më pas ka vizituar dy shkolla të kësaj komune: gjimnazin “Gjergj Kastrioti-Skenderbeu” dhe shkollën e mesme profesionale “Fehmi Lladrovci”.

Në gjimnazin “Gjergj Kastrioti-Skenderbeu”, e cila ka 1200 nxënës, Ministri është shprehur i kënaqur me sukseset e kësaj shkolle, ku edhe ai vet ka mbaruar shkollën e mesme. Kjo tashmë ka bashkëpunim me shtetin e Finlandës (shtet i cili është i njohur në botë për nga cilësia e arsimit që ofron), dhe zhvillon mësim online me disa shkolla të shtetit finlandez dhe një shkollë të Gjermanisë.

“Po ashtu, sot është edhe testi PISA që po finalizohet këtu në Drenas”, tha ministri Bytyqi, ndërsa falënderoi të gjithë akterët e përfshirë në organizimin e testit PISA, për të cilin tha se, nga informacionet që janë marrë nga terreni, ka rezultuar një pjesëmarrje jashtëzakonisht e madhe dhe me sukses është përfunduar Testi.

Ministri përmendi faktin se ky test ka filluar më 11 prill dhe përfundon sot. “Kjo periudhë ka qenë e planifikuar deri më 5 maj, duke pasë parasysh se mund të kemi ndonjë dështim, mund të kemi përsëritje në ndonjë komunë, por vërtetë nuk ka pasur nevojë që të kemi përsëritje fare dhe sot po e përfundojmë. Unë besoj se ky test do të jetë shumë më i mirë se sa që ka qenë në të kaluarën dhe do të na japë edhe shpresë, por gjithsesi do të na shtojë edhe përgjegjësinë që tutje të punojmë edhe më shumë për ngritjen e cilësisë së arsimit.

Ndërsa, gjatë vizitës në shkollën e mesme profesionale “Fehmi Lladrovci”, e cila numëron 1325 nxënës në 10 drejtime, respektivisht 19 profile arsimore, ministri Bytyqi ka inkurajuar nxënësit që të orientohen në shkolla profesionale, sepse kështu do të marrin shkathtësitë dhe kompetencat e nevojshme dhe do të jenë shumë më afër tregut të punës. 

Last modified: 23 Gusht, 2022

Comments are closed.