MASHT

Ministri Bytyqi u takua me rektorët e Institucioneve Private të Arsimit të Lartë

28 Dhjetor, 2017

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka takuar sot retorët e Institucioneve Private të Arsimit të Lartë (IPAL), me të cilët ka biseduar për punën që po e bëjnë, për sfidat dhe vështirësitë.

Ministri Bytyqi i falënderoi për kontributin e dhënë në arsimin e lartë, ndërsa i njoftoi për aktivitetet në kompletimin e infrastrukturës ligjore dhe për grupet punuese të ngritura, që kanë për qëllim ngritjen e cilësisë në të dy sektorët e arsimit të lartë.

Ministri kërkoi nga IPAL që të vihet rregull në institucionet e tyre për të rritur cilësinë dhe së bashku të arrihet ngritja e cilësisë në arsimin e lartë në tërësi, ndërsa theksoi se nëse nuk përmirësohet cilësia, MAShT do të marrë masa konform ligjit. 

Po ashtu, Ministri i informoi rektorët për aktivitetet që po ndërmerren në përmirësimin e cilësisë së arsimit parauniversitar, sidomos në arsimin dhe aftësimin profesional dhe kërkoi nga rektorët që t’i përcjellin me vëmendje këto zhvillime.

Rektorët e IPAL e falënderuan Ministrin për pritjen, ndërsa ndër të tjera kërkuan që të jenë të barabartë në Ligjin për Arsimin e Lartë dhe të mos ketë monopol në dy nivele: në raport me arsimin e lartë publik dhe atë privat, por edhe në raport mes bartëve të institucioneve private.

Last modified: 25 Gusht, 2022

Comments are closed.