MASHT

Ministri Bytyqi raportoi për herë të parë para Komisionit Parlamentar për Arsim

7 Nëntor, 2017

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Arsim, ku për herë të parë ka raportuar para këtij komisioni për prioritetet që ka në fushën e arsimit.

Me këtë rast, ministri Bytyqi theksoi se MAShT ka një Plan Strategjik shumë të mirë, mbi bazën e të cilin do të bëhen reforma.

Ministri tha se duhet të merren hapa konkret për ta modifikuar arsimin parauniversitar në shumë segmente, duke filluar nga ndryshimi i modelit të organizimit nga klasa 1-5, klasifikimi i mësimdhënësve dhe trajnimi i tyre. Po ashtu, ai tha se në plan të reforimit është edhe organizimi i mësimit nga klasa 6-9, angazhimi i psikologëve, avancimi i shkollave profesionale, vlerësimi i Testit të Maturës.

Sa i përket mësimit tërëditor, ministri Bytyqi theksoi se nuk ka hapësirë të mjaftueshme shkollore dhe tashmë Ministria ka një raport të detajuar për nevojën shtesë të hapësirave shkollore për ta realizuar mësimin tërëditor, për të cilën tha se duhet të diskutohet me Qeverinë, Kuvendin dhe donatorët për gjetjen e një zgjidhje të kostos financiare për ndërtimin e shkollave të reja.

Sa i përket arsimit të lartë, Ministri theksoi gjendjen jo të mirë të cilësisë, sidomos në disa kolegje private, ndërsa tha se duhet të mendohet një zgjidhje e mirë për avancimet akademike.

Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Arsim u interesuan për shumë çështje dhe shprehën gatishmëri për bashkëpunim në mënyrë që të avancohet sistemi i arsimit. 

Last modified: 25 Gusht, 2022

Comments are closed.