MASHT

Ministri Bytyqi raportoi para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike për raportin e auditimit për vitit 2016

23 Mars, 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka raportuar sot para Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike për raportin e auditimit, pra të gjeturat e Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2016 dhe përmbushjen e rekomandimeve të dala nga ky raport.

Ministri Bytyqi, fillimisht theksoi se po bëhet fjalë për një periudhë ku ai nuk ka qenë në krye të këtij dikasteri, por tha se “ne jemi të gatshëm t’i marrim përgjegjësitë që kanë dalë edhe nga ky raport, por edhe rekomandimet që vijnë nga Komisioni”.

Ministri Bytyqi theksoi se në raportin e auditimit për vitin 2016 kanë dalë 21 rekomandime, që është një numër jo i vogël, por theksoi se një numër i madh i tyre tashmë janë plotësuar. “10 rekomandime tanimë janë plotësuar, 9 prej tyre janë në proces të implementimit dhe 2 rekomandime nuk janë plotësuar”.

Një nga rekomandimet që nuk është plotësuar ka të bëj me angazhimin e një kompanie për përcjelljen e projekteve që kryhen nga ana e MAShT. “Ne ende mendojmë se nuk ka nevojë për angazhim të tillë, sepse është një kosto shtesë për Ministrinë dhe ne kemi mundësi që me stafin tonë profesional t’i mbikëqyrin këto çështje”, tha Ministri.

Ndërsa, sa i përket pikës tjetër që nuk është plotësuar ende e që ka të bëj me Njësinë e Auditimit të Brendshëm të MAShT, ministri Bytyqi theksoi numrin e vogël të auditorëve të brendshëm dhe theksoi se ky numër duhet të rritet për shkak të fushëveprimtarisë së gjerë të MAShT.

Ndërsa, sa i përket rekomandimeve që janë plotësuar pjesërisht, ministri Bytyqi theksoi se brenda një kohe të shkurtër do të përmbushen plotësisht. 

Në anën tjetër, Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ndër të tjera, ka kërkuar që MAShT të hartojë planin e veprimit për përmbushjen e rekomandimeve që dalin nga raporti. 

Last modified: 24 Gusht, 2022

Comments are closed.