MASHT

Ministri Bytyqi raportoi para Komisionit Parlamentar për Arsim

30 Janar, 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi, ka marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Arsim ku u shqyrtua Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare në mes të MAShT-it dhe Stitching SPARK-ut të Holandës (SPARK) mbi mbështetjen e Kolegjit Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë.

Në këtë takim, ministri Bytyqi raportoi edhe për gjendjen në Arsimin e Lartë, me theks të veçantë rreth nismës për vlerësimin e qëndrueshmërisë së universiteteve publike, si dhe regjistrimit të studentëve në Institucionet Private të Arsimit të Lartë. 

Ministri Bytyqi sqaroi  nevojën dhe arsyeshmërinë e ratifikimit të marrëveshjes për mbështetjen  e Kolegjit Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë, si një institucion me profile të veçanta, por theksoi se  do të shqyrtohen mundësitë  edhe për mbështetje të kolegjeve tjera private për disa  profile a programe të caktuara.

Ndërsa, sa i përket zhvillimeve në Arsimin e Lartë, ministri Bytyqi tha se tashmë është ngritur një komision profesional, i cili do të bëjë një vlerësim të detajuar rreth cilësisë në universitete publike dhe pas raporteve, do të vlerësohet se sa janë të qëndrueshme ato institucione në aspektin e cilësisë që kërkohet, me ç`rast edhe mund të priten ndryshime në aspektin organizativ, administrativ e programor të tyre, të cilat do të mund të iniciohen pas diskutimeve të përbashkëta në të gjitha nivelet. 

Komisioni Parlamentar për Arsim miratoi ratifikimin e Marrëveshjes me SPARK-un për mbështetje Kolegjit  Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë.  

Last modified: 24 Gusht, 2022

Comments are closed.