Ministri Bytyqi priti udhëheqësit e ShKÇAK, të Odës Ekonomike të Kosovës dhe asaj Amerikane

08 Gusht 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, priti në takim drejtoreshën ekzekutive në Shoqatën e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKÇAK), Ardiana Bunjaku, drejtorin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi dhe drejtorin ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka.

Në takim u diskutua për gjendjen aktuale të sistemit të edukimit të lartë në vend si dhe për mundësitë e bashkëpunimit, në mënyrë që të hidhen hapa drejt transformimit të sistemit të edukimit sipas nevojave të tregut të punës.

Ministri Bytyqi shprehu gatishmërinë e tij dhe të MAShT për një bashkëpunim sa më të thellë rreth kësaj çështje tejet të rëndësishme, për faktin se tregu i punës po transformohet dhe me këtë edhe nevoja për profesione të caktuara po rritet. Prandaj, Ministri tha se është e udhës që sistemi i arsimit të orientohet nga edukimi profesional.

Konkretisht, u propozua që në bashkëpunim me komunitetin e biznesit të përgatitet një pyetësor, përmes të cilit do të identifikohen nevojat e tregut të punës në Kosovë, pra për çfarë drejtime studimi ka nevojë ky treg dhe për çfarë profesione, në mënyrë që edukimi të jetë në shërbim të tregut të punës.

Gjithashtu, në lidhje me këtë, u dakorduan që të bëhet një grup punues dhe të përgatitet një Memorandum Bashkëpunimi, në mes të MAShT, MPMS, ShKÇAK, OEK dhe Odës Ekonomike Amerikane.