MASHT

MINISTRI BYTYQI PRITI SHEFIN E ZYRËS SË UNICEF-IT NË KOSOVË

2 Gusht, 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka pritur në takim shefin e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Brandao Co, me të cilin ka biseduar për mundësitë e bashkëpunimit për kampanjën, të cilën planifikon ta realizojë MAShT për rëndësinë e zhvillimit në fëmijërinë e hershme.

Ministri Bytyqi falënderoi UNICEF-in për bashkëpunimin dhe kontributin e madh që ka dhënë në arsim, ndërsa kërkoi ndihmën e kësaj organizate për kampanjën, e cila do të fokusohet në zhvillimin e moshave 0-3 vjet.

Pasi që theksoi faktin se Kosova ka një përfshirje të ulët në institucione edukative të kësaj moshe, ministri Bytyqi tha se, MAShT po planifikon që si pjesë e kampanjës të jenë edhe broshura informuese që do të shpërndahen nëpër familje, e që do të përmbajnë edhe udhëzime se si të sillen prindërit me këto mosha, në mënyrë që fëmijët të zhvillohen sa më mirë. Ndërsa, ministri Bytyqi theksoi se si pjesë e dytë e kësaj kampanje, do të shihen mundësitë për adoptimin e ambienteve nëpër shkolla (aty ku ka mundësi), për fëmijët e moshave 3-5 vjet.  

Në këtë drejtim, Ministri theksoi se bashkëpunimi me UNICEF-in është i një rëndësie të veçantë, duke pasur parasysh edhe fushëveprimtarinë e kësaj organizate.

Ndërsa, shefi i Zyrës së UNICEF-it për Kosovën, Brandao Co, falënderoi ministrin Bytyqi për bashkëpunimin që ka pasur MAShT me UNICEF-in përgjatë viteve. Pasi që theksoi rëndësinë e zhvillimit të fëmijëve në këtë moshë, e që është edhe një nga fushat e programit dhe prioriteteve të UNICEF-it, Co tha se do të shihen mundësitë e përkrahjes në këtë kampanjë.

Last modified: 10 Qershor, 2022

Comments are closed.