MASHT

Ministri Bytyqi priti përfaqësues të Departamentit të Filozofisë të Fakultetit Filozofik të UP-së

2 Maj, 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi priti sot përfaqësues të Departamentit të Filozofisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, me të cilët ka biseduar rreth punës së këtij Departamenti.

Shefja e Departamentit, Hasnije Ilazi i ka paraqitur Ministrit disa shqetësime të Departamentit të Filozofisë që kanë të bëjnë me punësimin e kuadrove, reduktimin e lëndëve të filozofisë me kurrikulat e reja, si dhe tekstet shkollore që janë në përdorim për këtë lëndë.

Ilazi theksoi rëndësinë që kanë kudo në botë lëndët e filozofisë dhe kërkoi që të ndryshohet Udhëzimi Administrtaiv që lejon që kjo lëndë të jepet në shkolla edhe nga sociologët dhe historianë, pra këtë lëndë ta japin vetëm filozofët. Po ashtu, ajo theksoi se tekstet shkollore janë të papërdorshme dhe joefektive.

Ministri Bytyqi theksoi gatishmërinë për të bashkëpunuar me secilin që ka për synim përmirësimin e cilësisë në arsim, ndërsa theksoi se do të shqyrtohen këto kërkesa që ka Departamenti i Filozofisë, në mënyrë që të merren vendime të drejta.

Ministri, po ashtu theksoi faktin se tashmë është hapur konkursi i parë për tekstet e reja shkollore, ndërsa në korrik pritet të hapet edhe i dyti dhe ftoi ekspertët e kësaj fushe të dërgojnë dorëshkrimet e tyre përmes shtëpive botuese.  

Last modified: 23 Gusht, 2022

Comments are closed.