Ministri Bytyqi priti një delegacion të Bankës Botërore

06 Dhjetor 2017

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi priti sot në takim një delegacion të Bankës Botërore në Kosovë, të kryesuar nga Joel Reyes, ekspert i Zhvillimit të Edukimit dhe Zhvillimit Institucional. Ekipi për Edukim i Bankës Botërore ka qëndruar në Ministrinë e Arsimit në kuadër të projektit për Përmirësimin e Sistemit të Arsimit në Kosovë (ESIP), i cili përkrahet nga Banka Botërore.

Ministri Bytyqi dhe eksperti Joel Reyes u pajtuan që angazhimet e Bankës Botërore në Kosovë të përafrohen me politikat e Ministrisë së Arsimit, në mënyrë që kjo të rezultojë me ngritjen e cilësisë së mësimit, zhvillimin e karrierës për mësimdhënës dhe përmirësimin e sistemit të menaxhimit të të dhënave në arsim.
Ministri Bytyqi e ka falënderuar Bankën Botërore për përkrahjen e vazhdueshme që i ka dhënë arsimit kosovar dhe ka theksuar se, projekti i BB-së përfshinë në masë të madhe politikat qeveritare për arsimin në këtë mandat, prandaj mbetet i përkushtuar në vazhdimin e bashkëpunimit me këtë institucion të rëndësishëm ndërkombëtar.