MASHT

Ministri Bytyqi priti në takim një delegacion të FMN-së

31 Maj, 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka pritur në takim një delegacion të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga Stephanie Eble , shefe e misionit në Kosovë, me të cilët bisedoi për implikimet buxhetore të Ligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqip 1990/99 dhe prioritet e MAShT sa i përket zhvillimit dhe përmirësimit të cilësisë.

Ministri Bytyqi me këtë rast ka falënderuar përfaqësuesit e FMN-së për mbështetjen e vazhdueshme në realizimin e projekteve madhore në shtetndërtimin dhe zhvillimin e arsimit në Kosovë.

Ndërsa, sa i përket shqetësimeve të ngritura nga FMN-ja lidhur me koston buxhetore të implementimit të Ligjit për mësimdhënësit e viteve të 90–ta, ministri Bytyqi u shpreh se çështja e hartimit dhe e zbatimit të këtij ligji është diskutuar për një  kohë të gjatë me të gjithë akterët relevantë dhe se ekziston një disponim pozitiv edhe nga shumica e  deputetëve që kjo të ndodhë realisht.

Ministri Bytyqi, po ashtu tha se, pagesa e mësimdhënësve për vitet e 90-ta është meritore për kontributin që ata dhanë në mbajtjen gjallë të arsimit shqip në ato vite, ndërsa theksoi se në bashkëpunim me Komisionin Parlamentar do të qartësohet më saktë kostoja buxhetore.

Ndërsa, duke folur për angazhimet e MAShT për përmirësimin e sistemit arsimor, ministri Bytyqi  tha se kemi renditur 5 prioritete kryesore që kanë të bëjnë kryesisht me arsimin  parauniversitar, por nuk do të mungojë angazhimi dhe interesimi edhe për zhvillimin e arsimit të lartë.

Ministri Bytyqi ndër prioritet kryesore përmendi zhvillimin profesional të mësimdhënësve, përmirësimin e infrastrukturës shkollore, edukimin parashkollor, përmirësimin e cilësisë në aspektin e menaxhimit të institucioneve arsimore, si dhe zhvillimin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional , me ç`rast theksoi nevojën për ndryshim të formulës së financimit dhe bashkëpunimin me bizneset.

Last modified: 19 Korrik, 2022

Comments are closed.