Ministri Bytyqi priti në takim drejtuesit e Agjencisë së Statistikave të Kosovës

04 Prill 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, priti në takim kryeshefin ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), z.Isa Krasniqi dhe drejtorin e Departamentit të Statistikave Sociale, z. Avni Kastrati , me të cilët bisedoi lidhur raportimin dhe standardizimin e të dhënave statistikore në sektorin e arsimit.

Me këtë rast, ministri Bytyqi theksoi se, MAShT- i posedon të dhënat e duhura për të gjitha nivelet e arsimit, porse ato vazhdojnë të pasurohen dhe plotësohen në vazhdimësi, sipas trendeve, përfshirë këtu edhe regjistrimin e nxënësve  apo studentëve në vitin shkollor, përkatësisht akademik.

 

“Ne jemi në bashkëpunim edhe me Bankën Botërore që kjo çështje të bëhet në mënyrën më të mirë të mundshme, ashtu që të kemi databazën e nevojshme për hartimin e politikave arsimore në të ardhmen”, tha ministri Bytyqi .

Në këtë takim u theksua nevoja e raportimit të të dhënave që kanë të bëjnë me fëmijët (nxënësit apo studentët) e komuniteteve.

Ministri Bytyqi dhe drejtori i Isa Krasniqi u dakorduan që brenda një kohe të shkurtër  të hartohet dhe një Marrëveshje Bashkëpunimi ndërinstitucionale, ku do të saktësoheshin edhe obligimet dhe përgjegjësitë lidhur me raportimin e të dhënave statistikore për të gjitha nivelet e arsimit, sipas standardeve që kërkohen dhe aplikohen në vendet e Bashkimit Evropian.