Ministri Bytyqi priti ambasadorin e Zvicrës në Kosovë

10 Prill 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, priti në takim ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, me të cilin bisedoi për zhvillimet në fushën e arsimit dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në këtë sektor, me theks Arsimin dhe Aftësimin Profesional.

Ministri Bytyqi ka falënderuar ambasadorin për mbështetjen që Zvicra ka bërë në shtetndërtimin e Kosovës, e në veçanti në reformimin e sistemit të arsimit, njëherësh shtroi nevojën e mbështetjes së mëtutjeshme.

“Ne kemi nevojë për përkrahjen tuaj, sidomos në ngritjen e cilësisë dhe zhvillimin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional , të përvetësojmë modelet tuaja të zhvillimit të mësimit dual, përkatësisht ndërlidhjen e mësimit teorik dhe praktik”, tha ministri Bytyqi.

Në vazhdim, ministri Bytyqi tha se na mungon një shtrirje adekuate e shkollave profesionale në rajone, e që po e vështirëson zhvillimin e punës praktike të nxënësve, por edhe zhvillimi i profileve të reja, adekuat me nevojat e tregut të punës.

Ndërsa, ambasadori Jean-Hubert Lebet, ndër tjera tha se Zvicra, do të vazhdojë që ta mbështesë zhvillimin e Kosovës, zhvillimin e arsimit, sidomos  zhvillimin e arsimit profesional . “Ju keni nevojë për një arsim që do të mundësojë punësimin e të rinjve që ata të mos orientohen në migrim, por që shanset e tyre t’i kërkojnë dhe krijojnë në Kosovë “, tha ambasadori  Lebet, ndërsa  theksoi se tashmë e kemi hartuar një strategji të re, e cila do të zbatohet deri në vitin 2020.

Ministri Bytyqi, gjithashtu theksoi angazhimin e MAShT që nga klasa 6-9 të identifikojë nxënësit, të cilët do të orientohen në arsimin e mesëm profesional, apo atë të përgjithshëm.