MASHT

Ministri Bytyqi priti ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Connell

19 Shtator, 2017

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka pritur në takim ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Connell, me të cilin ka biseduar për gjendjen e arsimit në të gjitha nivelet, si dhe mundësitë e bashkëpunimit.

Ambasadori O’Connell e uroi ministrin Bytyqi për detyrën e re dhe tha se Britania e Madhe do të vazhdojë ta mbështesë arsimin, sidomos arsimin profesional, segment të cilit i është kushtuar rëndësi e madhe edhe deri më tani, pasi që lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin ekonomik.

Ministri Bytyqi falënderoi ambasadorin O’Connell për ndihmën që vendi i tij i ka dhënë Kosovës që nga vitet e 90-ta e deri më tani, sidomos në sektorin e arsimit.

Duke folur për prioritetet e qeverisjes, ministri Bytyqi tha se në programin qeveritar, rëndësi të madhe i është kushtuar arsimit dhe aftësimit profesional, por edhe arsimit universitar.

Ministri Bytyqi theksoi se MAShT-it i nevojitet shumë ndihma e Britanisë së Madhe në synimin për përmirësimin e gjendjes në arsim, sidomos në arsimin profesional, në mënyrë që rinia kosovare të fitojë shkathtësi dhe kompetenca për të qenë e përgatitur për tregun e punës në Kosovë e më gjerë.

Me këtë rast, ministri Bytyqi pranoi ftesën zyrtare nga ambasadori O’Connell për të marrë pjesë në Forumin Botëror të Arsimit, i cili do të mbahet në Londër nga data 22-24 janar të vitit 2018.

Last modified: 25 Gusht, 2022

Comments are closed.