Ministri Bytyqi mori pjesë në tryezën e diskutimit “Përgatitja cilësore e mësimdhënësve në Kosovë”

20 Qershor 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, mori pjesë në tryezën “Përgatitja cilësore e mësimdhënësve në Kosovë”, e cila kishte për qëllim diskutimin për programet e përgatitjes së mësimdhënësve në Kosovë, nevojat dhe kërkesat për mësimdhënës të profileve të ndryshme dhe natyrën e përgatitjes së këtyre mësimdhënësve.

Ministri Bytyqi me këtë rast ka theksuar se, përgatitja cilësore e mësimdhënësve në Kosovë është tema më e rëndësishme për të cilën duhet të diskutohet dhe të punohet, me synim kryesor edukimin modern sipas standardeve më të larta.

“Përgatitja cilësore e mësimdhënësve është një mision i shenjtë, sepse ardhmëria e fëmijëve tanë varet pikërisht nga këta të rinj, të cilët përgatiten nga Fakulteti i Edukimit. Do të marrim një lloj obligimi që të rinjtë tanë t’i përgatisim me shkathtësi të nevojshme dhe edukim cilësor të cilat i kërkon koha dhe sipas standardeve evropiane”, ka theksuar ministri Bytyqi.

Ministri Bytyqi kërkoi bashkëpunim sa më të afërt ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Fakultetit të Edukimit dhe partnerëve ndërkombëtarë, në mënyrë që investimet kryesore të orientohen në fushën e edukimit, me prioritet arsimin parauniversitar.

“Një bashkëpunim i ngushtë dhe një zotim i përbashkët do t’i tejkalojë të gjitha sfidat dhe sistemi arsimor në Kosovë njëherë e përgjithmonë do të marrë drejtimin e duhur dhe brenda pesë viteve të ardhme nuk do të diskutojmë më për një nivel të ulët të cilësisë, por për përfitimin e metodave dhe teknikave të reja mësimore, përvetësimin dhe aplikimin e tyre në shkollat tona”, është shprehur Ministri.

Ministri Bytyqi ka theksuar se, GIZ si mbështetës i aktiviteteve të ndryshme në fushën e edukimit, është një nga partnerët tanë në rrugëtimin tonë drejt sfidave që ka sistemi i edukimit në Kosovë.

Tryeza është organizuar nga Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës, në bashkëpunim me Deutsche Gesellschaft fuer Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH.