MASHT

Ministri Bytyqi mori pjesë në Konferencën për prezantimin e raportit rreth zbatimit të PSAK 2017

12 Mars, 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi mori pjesë në Konferencën për Zbatimin e Planit Strategjik 2017, në të cilën ishte e pranishme edhe shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalia Apostolova dhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, Ismail Kurteshi.

Me këtë rast, u prezantua raporti i vlerësimit për të gjeturat rreth zbatimit të Planit Strategjik për Arsim në Kosovë 2017, i përgatitur nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC), në partneritet me tri organizata të tjera joqeveritare, anëtare të Rrjetit të Kosovës për Arsim dhe Punësim – KEEN, të përkrahur nga Bashkimi Evropian.

Ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi ka vlerësuar raportin si një analizë të vlefshme për të reflektuar rreth masave dhe veprimeve që mund të ndërmerren në të ardhmen, që njëherësh obligon Ministrinë e Arsimit që të angazhohet në përmbushjen e Planit Strategjik në të ardhmen. 

Duke folur për të gjeturat e prezantuara në këtë raport, ministri u shpreh se, është shumë me rëndësi që të fuqizohet si prioritet çështja e arsimit në Kosovë, me qëllim të arritjes së synimeve që kemi për një arsim cilësor dhe për një edukim të mirëfilltë të të rinjve.

“Ne si Ministri do të kemi mundësi që kërkesat që dalin nga PSAK-u t’i shtyjmë përpara dhe t’i realizojmë. Ajo çka përbën një mangësi të theksuar dhe e vështirëson në shumicën e rasteve zbatimin e të gjeturave është mungesa e një Strategjie të Zhvillimit Ekonomik”, është shprehur Ministri. 

Sa i përket të gjeturave, të cilat flasin për mos menaxhim të duhur ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal në arsim, ministri Bytyqi ka thënë se, MAShT do të angazhohet maksimalisht që të reflektojmë pozitivisht në këtë aspekt.

“Do të kemi një angazhim të veçantë që të kemi koordinim të bashkëpunimit në mes të shkollave, DKA-ve dhe MAShT-it. Konsideroj që me koordinimin dhe me dhënien e mundësive të dyanshme do të kemi një mundësi shumë më të lehtë të menaxhimit dhe eliminimit të problemeve që dalin nga çështja e mësimdhënies”, tha ministri Bytyqi.

Ndër të tjera, ministri Bytyqi ka folur për rritjen e numrit të fëmijëve në nivelin parashkollor, gjithëpërfshirjen, fuqizimin e komunitetit të prindërve në procesin e zgjedhjes së drejtorëve të shkollave, vlerësimin e mësimdhënësve dhe gradimin e tyre, zhvillimin e vazhdueshëm të arsimit profesional, harmonizimin e programeve me tregun e punës, arsimin e lartë.

Ndërsa, shefja e zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Natalyia Apostolova theksoi se raporti është i dobishëm. “Të fillojmë me faktin se zbatimi i Planit Strategjik për Arsimin është baza, korniza përmes së cilës duhet t’i zhvillojmë reformat në sektorin arsimor. Arsimi nuk është reformë e shpejtë, reformat në arsim jepen kur të kalojë një gjeneratë”.

Last modified: 24 Gusht, 2022

Comments are closed.