MASHT

Ministri Bytyqi mori pjesë në hapjen e fushatës kundër trafikimit me qenie njerëzore

18 Tetor, 2017

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka marrë pjesë në hapjen e fushatës së Muajit Antitrafikim (pjesës së fushatës së paraparë për arsim), në kuadër të të cilit MAShT ka organizuar shumë aktivitete në shkolla për parandalimin e trafikimit përmes edukimit.

Para shumë nxënësve dhe mësimdhënësve të shkollës “Ismail Qemali” në Prishtinë, ministri Bytyqi e vlerësoi këtë fushatë si shumë të rëndësishme, me ç’rast tha se një fushatë e tillë duhet të jetë çdo ditë në vëmendjen tonë.

“Duke filluar nga MAShT, ju mësimdhënës dhe institucione tjera, duhet të kontribuojmë që kjo dukuri negative sa më parë të jetë e minimizuar që të mos ketë viktima të pafajshme”, tha ministri Bytyqi dhe theksoi se MAShT, përmes programeve të ndryshme të fushave mësimore, të kurrikulave, do të ofrojë një edukim sa më të mirë për nxënësit tanë, në mënyrë që ta parandalojmë trafikimin dhe viktimat të jenë zero.

Duke iu drejtuar mësimdhënësve, ministri Bytyqi tha se është obligim që të punojmë bashkë dhe shumë, që fëmijët tanë t’i edukojmë në një frymë dhe cilësi të lartë. “Sa më shumë që punojmë dhe i edukojmë ata, konsideroj se edhe dhuna e kësaj forme të egër do të jetë shumë më e vogël”.

“Sot po i themi ‘stop trafikimit të qenieve njerëzore’. Mos heshtni. Ne mund ta ndalojmë dhe këtë do ta bëjmë nëse jemi të gjithë bashkë, e të vendosur që ta ndalojmë”, tha ministri Bytyqi.

Muaji Antitrafikim shënohet për çdo vit në Kosovë, ndërsa këtë vit fillon në Ditën Ndërkombëtare të BE-së Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, pra më 18 tetor dhe zgjatë deri më 18 nëntor 2017.

Last modified: 25 Gusht, 2022

Comments are closed.