MASHT

Ministri Bytyqi mbajti konferencën e fundvitit me gazetarë

21 Dhjetor, 2017

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi ka mbajtur konferencën e fundvitit me gazetarë, ku ka shpalosur të arriturat dhe sfidat e punës së njëqind ditëshit të punës së tij si ministër i Arsimit.

Ministri Bytyqi, pasi ka falënderuar mediat për kontributin e veçantë në fushën e arsimit dhe edukimit, bashkëpunimin dhe korrektësinë në raportimin e aktiviteteve dhe politikave arsimore, ka folur për të arriturat në arsimin parauniversitar, arsimin e lartë, shkencën dhe arsimin në diasporë.

Bazuar në programin e Qeverisë 2017-2021, ministri Bytyqi ka theksuar se, një ndër prioritetet është edhe zhvillimi i mësimit në një ndërrim, vlerësimi i kapaciteteve ekzistuese të objekteve shkollore dhe hapësirave shtesë të nevojshme.

Sa i përket angazhimit të MAShT në sigurimin e cilësisë, ministri Bytyqi, ka përmendur përgatitjet për pjesëmarrje në vlerësimin ndërkombëtar TIMSS dhe formimin e Komisionit për Testin PISA, me qëllim që të ngritet niveli i përgjegjësisë së Drejtorive Komunale të Arsimit dhe nxënësit të kenë sa më shumë informacione rreth përmbajtjes dhe rëndësisë.

Ndër të tjera, ministri Bytyqi ka përmendur edhe inicimin e debatit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Drejtorive Komunale të Arsimit dhe përfaqësueseve të Fakultetit të Edukimit, për profilizimin e mësuesve të klasave 1-5.

Duke folur për të arriturat në arsimin parauniversitar, ministri Bytyqi ka folur për rritjen e përfshirjes dhe mundësive të barabarta për zhvillim, aftësim dhe arsim të çdo individi, hartimin e programit të edukatoreve, të cilat punojnë me fëmijët 0-3 vjeç, plotësimit të infrastrukturës ligjore, mbështetjen e komuniteteve pakicë, parandalimin e braktisjes, përfundimin e investimeve në dy objekte të reja shkollore dhe renovimin e një shkolle, si dhe organizmin e fushatave për ngritje të cilësisë në arsimin.

Ndërkaq, sa i përket arsimit të lartë dhe shkencës, ministri Bytyqi përmendi avancimin e Sistemit të Menaxhimit të Informatave në Arsim, planifikimin për ndarjen e bursave për studentët elitar në disa programe deficitare, bashkëpunimin ndërkombëtar përmes programeve  HERAS, CEEPUS, ERASMUS +, Programin Horizon 2020 dhe projekte të tjera të rëndësishme, të cilat mbështeten nga Banka Botërore, UNICEF dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Në fund të Konferencës, ministri Bytyqi ka ndarë mirënjohje për gazetarët dhe mediat për kontributë veçantë ndër vite në fushën e arsimit dhe edukimit. 

RAPORTI 100 DITËSH I QEVERISË SË RE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS / MINISTRIA E ARSIMIT, SHKENCËS DHE TEKNOLOGJISË

Last modified: 25 Gusht, 2022

Comments are closed.