MASHT

Ministri Buja zhvilloi takime me përfaqësues të institucioneve dhe organizatave vendore

21 Mars, 2011

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja gjatë ditës ka zhvilluar shumë takime me përfaqësues të organizatave dhe institucioneve vendore, nga të cilët ka marrë urimet për detyrën e re si ministër i MASHT-it, ndërsa ka biseduar për zhvillimet në arsimin kosovar dhe mundësitë që ka MASHT-i për të ndihmuar në procese të ndryshme.

Në një takim që ka zhvilluar me deputetët e grupit parlamentar 6+, Duda Balje dhe Rasim Demiri, ministri Buja ka biseduar mbi zhvillimet në arsimin kosovar, me fokus të veçantë arsimimin e boshnjakëve në Kosovë.

Ndërsa, gjatë ditës, ministri Buja ka pritur edhe përfaqësues të Agjencionit të Mërgatës, i cili funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës. Në këtë takim është biseduar për Ligjin për Mërgatën e Kosovës. Përfaqësuesit e këtij Agjencioni kërkuan nga ministri Buja që MASHT-i të ndihmojë në implementimin e këtij Ligji në çështjet që kanë të bëjnë me arsimin dhe edukimin e fëmijëve shqiptarë në diasporë.

Ministri Buja, pasi që theksoi faktin se për Ministrinë e Arsimit është shumë i rëndësishëm arsimimi i fëmijëve shqiptarë në diasporë dhe në këtë drejtim ka pasur lëvizje pozitive deri më tani, tha se MASHT-i është i hapur për bashkëpunim dhe me shumë përgjegjësi do të kryejë obligimet që i parasheh edhe Ligji.

Në takimin që ka pasur ministri Buja me kryetarin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, është biseduar për çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, me fokus në sferën e arsimit.

Ministri Buja ka zhvilluar një takim edhe me përfaqësues të Fondit për të Drejtat Humanitare, të cilët ndër të tjera kanë bërë të ditur se tashmë kanë identifikuar të gjithë të vrarët në luftën e fundit në Kosovë.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.