MASHT

Ministri Buja vizitoi disa shkolla të Kosovës me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor

1 Shtator, 2011

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, me bashkëpunëtorët e tij, ka qëndruar sot gjatë gjithë ditës nëpër disa shkolla të Kosovës, për të shënuar kështu bashkë me nxënës, mësimdhënës e prindër, 1 shtatorin – ditën e parë të vitit shkollor 2011/2012.

Përurohet shkolla e re “Fehmi Lladrovci” në Drenas

Ministri Buja ka vizituar Shkollën Fillore “Hasan Prishtina” në kryeqytet nga ku i ka uruar të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit e Kosovës për fillim të mbarë të vitit të ri shkollor. Ministri i porositi nxënësit që të jenë të zellshëm dhe punëtorë, në mënyrë që të arrijnë sulkseset e dëshiruara.

Ndërsa, në një takim me arsimtarët e kësaj shkolle, ministri Buja i uroi ata për angazhimet dhe përkushtimin që kanë treguar në vazhdimësi në përgatitjen e gjeneratave. Ai shprehu gatishmërinë e MASHT-it që të jetë gjithmonë pranë tyre dhe së bashku të arrijnë synimin për ngritjen e cilësisë në arsimin parauniversitar. “Për këtë, çdo ditë po përpiqemi dhe po bëjmë të pamundurën që të krijojmë kushte të mira mësimi”, theksoi ministri.

Ministri në bisedë me mësimdhënësit e kësaj shkolle tha se MASHT-i, përveç angazhimit për ndërtimin e objekteve të reja shkollore, këtë vit shkollor e ka shpallur vit të mirëmbajtjes së ambientit shkollor. “Është marrë vendim për realizimin e projektit ‘Mjedis i Gjelbërt Shkollor’ dhe më 22 prill të vitit të ardhshëm, në bashkëpunim me Drejtoritë komunale të Arsimit, Ministria do të shpallë tri shkollat më të mira me mjedis të gjelbëruar, ndërsa në fund të vitit do të shpallen tri shkollat më të mira në nivel të shtetit”, tha ai.

Ministri i Arsimit, më pas udhëtoi për në Drenas, ku kishte nisur festa e nxënësve, mësimdhënësve dhe qytetarëve, për Shkollën e Mesme Profesionale “Fehmi Lladrovci”, e cila është ndërtuar nga MASHT-i me mbi 2 milionë euro investim dhe përmban 20 dhoma mësimi dhe objekte tjera përcjellëse, përfshirë këtu kabinete ku do të zhvillohet puna praktike.

Pasi që bëri përurimin e kësaj shkolle, ministri Buja përgëzoi nxënësit dhe mësimdhënësit për objektin modern të shkollës së tyre dhe i porositi ata që të kujdesen për ruajtjen e kësaj shkolle, porosi të cilën ata e morën edhe nga kryetari i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku, i cili i porositi “ta ruajnë shkollën si sytë e ballit”, pasi që falënderoi MASHT-in për këtë dhuratë të bukur që iu është bërë atyre në një ditë të veçantë, pra më 1 Shtator.

Ndërsa, ministri Buja theksoi faktin se shkolla mban emrin e një figure të ndritshme të heroit kombëtar Fehmi Lladrovci, “emri i të cilit do të jetojë gjatë në kujtesën e brezave”.

Ministri Buja ka ndaluar edhe te busti i heroit Llavdrovci, i vendosur tashmë në oborrin e shkollës që mban emrin e tij, ku vendosi buqetë lulesh të freskëta.

Ministri Buja vizitoi shkollën fillore “Vuk Karagjiq” me mësim në gjuhën serbe

Në orët e pasdites, ministi Ramë Buja, i shoqëruar nga zëvendësministri për Komunitete Serboljub Djokiç, ka vizituar edhe shkollën “Vuk Karagjiq” në Shillovë të Gjilanit, ku mësimi zhvillohet në gjuhën serbe, si dhe një çerdhe fëmijësh të ndërtuar pranë kësaj shkolle.

“Më vjen mirë që shoh fytyra të gëzuara të nxënësve të kësaj shkolle. Më erdhi mirë që pashë një çerdhe të bukur të fëmijëve. Ne do të përpiqemi që në vazhdimësi të mbështesim zhvillimin e mësimit për të gjitha komunitetet”, theksoi ministri, pasi që porositi komunitetin që të llogarisin vëzhdimisht në mbështetjen e MASHT-it dhe të Qeverisë së Kosovës. Ministri Buja ka thënë se synimi i Qeverisë së Kosovës është që të realizojë të gjitha pikësynimet për një mirëqenie për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Më pas, ministri ka përfunduar aktivitetet e ditës së sotme në shkollën fillore “Musa Zajmi” në Gjilan, ku nxënësve të klasës së parë, iu ka dhuruar Abetaren, duke iu uruar shëndet të mirë dhe ardhmëri të lumtur. Tekstet shkollore falas do t’i marrin edhe rreth 32 mijë nxënës sa janë regjistruar këtë vit në klasën e parë, sikur edhe të gjithë nxënësit që vijojnë mësimin e obliguar në Republikën e Kosovës.


Për herë të parë, gjuha rome do të mësohet si lëndë fakultative në Prizren

Gjatë ditës së parë të mësimit për vitin shkollor 2011/2012, në Prizren është shënuar edhe një ngjarje e rëndësishme për komunitetin rom. Për herë të parë, ky komunitet do të mund të mësojë edhe gjuhën e vet në shkollat publike.

Në shkollën fillore “Mati Logoreci” në Prizren, zëvendësministri i Arsimit, Usmen Baldzi, i shoqëruar nga drejtori i DKA-së dhe drejtori i shkollës si dhe shumë nxënës dhe prindër, kanë shënuar solemnisht hapjen e mësimit në gjuhën rome si lëndë fakultative në të gjitha shkollat e Prizrenit.

Zëvendësministri Baldzi theksoi se ky është një pilotim i projektit, i cili më pas do të zgjerohet nëpër të gjitha shkollat e Kosovës ku jetojnë nxënës të komunitetit rom.

Drejtoria komunale e Arsimit ndërkaq është e obliguar që të kujdeset për zgjedhjen e mësimdhënësve për këtë lëndë.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.