MASHT

Ministri Buja po qëndron në Zvicër ku sot është takuar me ministrin e Arsimit të kantonit të Gjenevës, Charles Beer

9 Qershor, 2011

Ministrat Buja e Beer kanë theksuar se do ta thellojnë bashkëpunimin në të gjitha nivelet e arsimit, ndërsa ky i fundit ka premtuar se Gjeneva, përveq që është e gatshme ta ndihmojë edhe më tutje arsimin në Kosovë, do të ndihmojë edhe më shumë edhe arsimimin e komunitetit shqiptar që jeton nëkantonin e Gjenevës.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja me bashkëpunëtorë, po qëndron në një vizitë pune në Zvicër, ku sot ai është pritur nga ministri për Arsim dhe Kulturë i kantonit të Gjenevës, Charles Beer.

Në këtë takim, i cili u mbajt në departamentin e arsimit të Gjenevës, ministri Buja shoqërohej edhe nga ambasadori i Kosovës në Bernë, Naim Malaj. Fillimisht, ministri Buja e falënderoi ministrin e Gjenevës për pritje, por edhe për kujdesin ndaj komunitetit shqiptar në Zvicër.

Ministri Buja e njoftoi ministrin Beer me situatën aktuale dhe zhvillimet në të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë. Ministri theksoi se sot mund të thuhet se Prishtina është bërë një qendër universitare dhe akademike me renome evropiane, në të cilën universitetet, përveç shqiptarëve dhe qytetarëve tjerë, kanë edhe studentë nga Zvicra, nga vendet e BE-së dhe mbarë bota. 

Ndërsa, ministri zviceran në shtetin e Gjenevës ka pohuar se Gjeneva dhe Zvicra do të vazhdojnë dhe intensifikojnë bashkëpunimin reciprok mes ministrive të arsimit, duke ndihmuar njëra-tjetrën, qoftë me ndërrim të studentëve, apo të kuadrove mësimore dhe shkencore të sferave të ndryshme.

I pari i arsimit të Gjenevës shprehu gatishmërinë, që të ndihmojë arsimin në Kosovë, por edhe në këtë kanton, ku mësimet i ndjekin një numër i konsiderueshëm i nxënësve nga komuniteti shqiptarë.

Ministrat Buja dhe Beer, kanë deklaruar se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Gjenevës, do të intensifikohet dhe shumë shpejt edhe ministri Beer do ta vizitojë Kosovën me ftesë të ministrit Ramë Buja.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.