MASHT

Ministri Buja ka zhvilluar disa takime me përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare

16 Mars, 2011

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Ramë Buja, ka zhvilluar sot, disa takime me përfaqësues të institucioneve të arsimit privat në vend, përfaqësues të studentëve të Universitetit të Prishtinës dhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Kosovë.

Në takimin që pati me përfaqësuesin e Ambasadës Amerikane në Kosovë, ministri Buja, pranoi urimet për detyrën e re nga përfaqësuesi i Ambasadës, Jeni Washeleski, i cili shprehu gatishmërinë e Ambasadës Amerikane që të vazhdojë mbështetjen mëtutjeshme të proceseve arsimore në Kosovë.

Ministri Buja falënderoi Ambasadën Amerikane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të gjitha ato që i ka bërë për Republikën e Kosovën e në veçanti për mbështetjen e madhe që i ka dhënë arsimit kosovar.

Ndërsa, në një takim që ka pasur me përfaqësues të institucioneve private të arsimit të lartë në vend, ministri Buja ka theksuar se MASHT-i nuk është e interesuar që të pengojë këto institucione, por t’i ndihmojë të ngrisin cilësinë. “Infrastruktura është në përfundim e sipër, ndërsa tani kemi si synim parësor ngritjen e cilësisë , prandaj në këtë drejtim llogarisni në ndihmën tonë të pakursyer”, iu tha ministri përfaqësuesve të institucioneve private të arsimit.

Ministri Buja theksoi se duhet të zhduket hendeku i dallimit të studentëve që kanë përfunduar studimet në kolegjet private dhe atyre që i kanë përfunduar ato në Universitetin e Prishtinës.

Përfaqësuesit e institucioneve private të arsimit, nga ana tjetër, i paraqitën ministrit Buja shqetësimet, sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohen, në mesin e të cilave përmendën Ligjin e ri për Arsimin e Lartë, i cili nuk është miratuar ende.

Ministri Buja, po ashtu ka takuar udhëheqësit e Parlamentit të Studentëve të UP-së, me të cilët ka biseduar për shumë çështje që i shqetësojnë studentët dhe mundësinë e bashkëpunimit më të mirë mes institucionit më të lartë të arsimit në vend dhe studentëve.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.