MASHT

Ministri Bajrami vizitoi komunën e Drenasit

15 Shkurt, 2017

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ka vizituar sot Drenasin me ç’rast është pritur nga kryetari i kësaj komune, z. Ramiz Lladrovci. Me këtë rast, ministri Bajrami i ka uruar kryetarit Lladrovci detyrën e re, njëherësh i ofroi mbështetje dhe bashkëpunim në sektorin e arsimit, me theks të veçantë krijimin e hapësirave të reja shkollore, trajnimin e mësimdhënësve dhe përmirësimin e cilësisë.

Ministri Bajrami tha se do të mbështesë këtë komunë me ndërtimin e një shkolle të arsimit të mesëm profesional në Komoran, shkollë kjo e cila do të jetë në shërbim të nxënësve kësaj komune, por edhe të komunave tjera. 

“Qëllimi është që të kemi një shkollë prestigjioze, e cila do të ketë profile të përshtatshme dhe që do të ndikojë në aftësimin profesional të të rinjve dhe përgatitjen për tregun e punës”, tha ministri Bajrami.



MAShT, tha Ministri, do të ndihmojë në sigurimin e mjeteve të konkretizimit, si dhe  do të ofrojë mbështetje edhe për trajnimin e mësimdhënësve me qëllim të përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë në arsim.

Ministri Bajrami dhe kryetari Lladrovci kanë vizituar edhe terrenin ku Ministria e Arsimit do të investojë për ndërtimin e një çerdhe për fëmijë në këtë komunë. Ndërkaq, kryetari i komunës së Drenasit, z. Lladrovci ka falënderuar Ministrin për mbështetjen e ofruar në zhvillimin e arsimit në këtë komunë, njëherësh u shpreh i gatshëm që të bashkëpunojë me Ministrinë e Arsimit në interes të aftësimit të të rinjve. 

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.