MINISTRI BAJRAMI PO VIZITON DISA SHKOLLA GJATË MBAJTJES SË PROVIMIT TË MATURËS

06 Qershor 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, po bën vizita në disa qendra të testimit, për të parë nga afër se si po shkon procesi i mbajtjes së Provimit të Maturës Shtetërore, të cilit këtë vit po i nënshtrohen rreth 33 mijë maturantë.

Ministri Bajrami fillimisht ka vizituar nxënësit, të cilët po testohen në qendrën në Shkollën e Mesme të Mjekësisë "Dr. Ali Sokoli" në Prishtinë, ndërsa ka thënë se janë marrë masat e duhura për një administrim të suksesshëm të këtij testi. "Të gjithë zyrtarët që janë të angazhuar, janë plotësisht të gatshëm për t'i ndihmuar nxënësit, që ky test të kalojë sa më mirë. Jemi shumë të kënaqur që nxënësit i janë përgjigjur këtij testi", tha ministri Bajrami.

Ministri theksoi se te shkolla "Dr. Ali Sokoli" pamë një rregull dhe një rend, por pamë edhe diçka që ka munguar më herët: "Testit të Maturës i janë përgjigjur edhe komunitetet pakicë dhe vizituam edhe një klasë multietnike".

"Matura është një test i pjekurisë së nxënësve dhe Ministria e Arsimit do të marrë rezultatin real, i cili do të jetë një tregues i vërtetë i gjendjes në arsim dhe do të na ndihmojë që t'i rishikojmë politikat e arsimit, duke punuar gjithmonë në ngritjen e standardeve të cilësisë së arsimit".

Ministri Bajrami, po ashtu, theksoi se të gjithë administruesit kanë marrë udhëzimet e nevojshme që të shmangin çdo tendencë të keqmenaxhimit të procesit të Maturës. "Ne, në ora 13:00 do t'i marrin raportet dhe kudo që vërejmë që ka pasur shkelje, do të marrim masa, por unë shpresoj që këto masa do të jenë të vogla për shkak se kemi një vetëdijësim të nxënësve dhe mësimdhënësve për një mbarëvatje të procesit të maturës".

Gjatë kohës sa do të mbahet Provimi i Maturës, ministri Bajrami do të vizitojë edhe nxënësit, të cilët po testohen në shkollën "Shaban Jashari" në Skenderaj, në shkollën "Gjergj Katrioti Skenderbeu" në Drenas dhe në shkollën "Adem Gllavica" në Lipjan