MINISTRI BAJRAMI PO VIZITON DISA SHKOLLA GJATË MBAJTJES SË PROVIMIT SHTETËROR TË MATURËS

22 Qershor 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, po bën vizita në disa qendra të testimit, për të parë nga afër se si po shkon procesi i mbajtjes së Provimit të Maturës Shtetërore (pjesa e dytë), të cilit këtë vit po i nënshtrohen rreth 33 mijë maturantë.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, po bën vizita në disa qendra të testimit, për të parë nga afër se si po shkon procesi i mbajtjes së Provimit të Maturës Shtetërore (pjesa e dytë), të cilit këtë vit po i nënshtrohen rreth 33 mijë maturantë.
 
Ministri Bajrami fillimisht ka vizituar nxënësit, të cilët po testohen në qendrën e testimit në shkollën profesionale “28 Nëntori” në Prishtinë, e pastaj edhe nxënësit në gjimnazin “Hivzi Sylejmani” në Fushë Kosovë.

 

Gjatë vizitës në shkollën “28 Nëntori”, ministri Bajrami tha se dita e dytë e Maturës Shtetërore, sipas informatave që kemi, ka filluar pa ndonjë problem dhe duket se gjithçka është në rregull. “Ka seriozitet dhe përkushtim të nxënësve dhe ne urojmë që të gjithë ta kuptojnë se Matura Shtetërore është test edhe kombëtar për pjekurinë tonë për të administruar një proces kaq të rëndësishëm”.
 
Ministri Bajrami theksoi se nxënësit, administruesit dhe drejtorët e shkollave janë të përkushtuar sikur edhe ditën e parë të Provimit. “Në pjesën e parë, Matura ka qenë e suksesshme dhe ka qenë më e mira e organizuar ndonjëherë nga MAShT”

Ministri Bajrami u shpreh i sigurtë se edhe tani do të shkojë mirë. “Jemi të vetëdijshem për disa manipulues, të cilët përmes rrjeteve sociale manipulojnë dhe nuk i ndihmojnë nxënësit, por i pengojë ata, sepse nxënësit janë të edukuar dhe nuk kanë nevojë për këtë gjë”, u shpreh ministri, ndërsa theksoi se këta manipulues janë duke u përcjellë nga MAShT bashkë me Policinë e Kosovës dhe ndaj tyre do të merren, ashtu siç është vepruar edhe në pjesën e parë të Provimit. Ai theksoi se, këto masa do të ndërmerren, jo për t’i dëmtuar nxënësit, por për t’i larguar manipuluesit nga një proces shumë i rëndësishëm i sistemit arsimor”.

Ministri Bajrami tha se ka besim të plotë te arsimtarët, administruesit, drejtorët e shkollave dhe të gjithë ata që janë të kyqur në proces, por theksoi se besimin më të madh e ka te nxënësit, të cilët janë të vendosur që në Provimin e Maturës të shprehin dijen e vet dhe të marrin rezultatet reale.
 
Gjatë kohës sa do të mbahet Provimi i Maturës, ministri Bajrami do të vizitojë edhe shkolla të tjera.