MASHT

Ministri Bajrami mori pjesë në Punëtorinë rreth prezantimi të të gjeturave nga studimi i fizibilitetit për mundësitë e zhvillimit të Sistemit të Rangimit të IAL – ve në Kosovë

29 Maj, 2017

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë z. Arsim Bajrami mori pjesë në Punëtorinë ku u bë prezantimi i të gjeturave nga studimi i fizibilitetit për mundësitë e zhvillimit të Sistemit të Rangimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë në Kosovë.

Ministri Bajrami me këtë rast ka theksuar se, vendosja e Sistemit të Rangimit të IAL -ve është një mundësi e mirë për të ngritur cilësinë e përgjithshme të institucioneve publike dhe private të arsimit të lartë.

“Reforma në arsimin e lartë është reforma më e rëndësishme në vendin tonë dhe kjo kërkon kohë. Megjithatë ka filluar një epokë e stabilitetit dhe përpjekjeve të të gjitha institucioneve për të përmirësuar performancën e tyre, për të rritur kredibilitetin dhe për të ndërtuar një sistem konkurrues”, është shprehur Ministri.

Ministri Bajrami po ashtu theksoi se, procesi i rangimit është një proces global i cili ka përfshirë universitetet e të gjitha shteteve.

Ndryshe, raporti i studimit të fizibilitetit paraqet konkluzionet dhe rekomandimet nga një studim i realizuar ndërmjet muajve Gusht dhe Tetor të vitit 2016, për të shqyrtuar mundësitë dhe burimet për zhvillimin e Sistemit të Rangimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë në Kosovë. 

Konkurrenca në rritje midis IAL – ve dhe kërkesave të reja për kapacitetet e tyre tashmë i ka nxitur ata që të fillojnë t’i përmirësojnë performancat e tyre, mirëpo ende ka hapa të cilët duhen ndërmarrë para zhvillimit  të sistemit të rangimit të cilat do të përmirësonin transparencën, cilësinë dhe përgjegjësinë e tyre.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.