MASHT

Ministri Bajrami: MAShT e përkushtuar për arsim cilësor të komunitetit egjiptian dhe komuniteteve të tjera

24 Qershor, 2016

Me rastin e shënimit të Ditës së Komunitetit Egjiptian, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka takuar sot një grup të studentëve nga ky komunitet në Sallën e madhe të Kuvendit të Kosovës. Ndërsa, ministri Bajrami ka marrë pjesë edhe në Konferencën ceremoniale në Qeverinë e Kosovës për shënimin e kësaj dite.

Pasi që ua ka uruar festën komunitetit egjiptian, në takimin me studentët, ministri Bajrami ka paralajmëruar lehtësime edhe më të mëdha në arsimimin e komuniteteve që jetojnë në Kosovë, pra edhe të komunitetit egjiptian si qytetarë të barabartë të Republikës së Kosovës.

Ministri Bajrami theksoi se MAShT është duke punuar në shumë segmente sa i përket përfshirjes së komunitetit egjiptian. Ndërsa, duke folur në mënyrë të veçantë në atë që po bëhet këtë vit, Ministri përmendi miratimin e Udhëzimit Administrativ për përfshirjen e të gjitha komuniteteve në të gjitha nivelet e arsimit. 

“Kjo është hera e parë që kemi një Udhëzim Administrativ për qasje afrimative ku ne caktojmë kuotat dhe ku ne detyrojmë shtatë universitetet publike që t’i përmbushin këto kuota”, tha ministri, ndërsa theksoi se MAShT është e interesuar që të ketë sa më shumë studentë egjiptianë nëpër fakultete, por edhe në master dhe doktoraturë” , tha ministri Bajrami.

Ministri Bajrami theksoi se te arsimi parauniversitar po bëhet gjithçka që asnjë fëmijë i komunitetit egjiptian të mos mbetet pa u përfshirë në shkollë, duke filluar nga arsimi  parashkollor. Ndërsa, Ministri përmendi edhe bursat që jepen për nxënësit e shkollave të mesme, ku vetëm vitin e kaluar në bashkëpunim me partnerët janë dhënë 500 bursa për nxënësit e komuniteteve pakicë. 



Ndërkaq, në Konferencën ceremoniale në Qeverinë e Kosovës, ministri Bajrami bëri një përmbledhje të të arriturave dhe planeve sa i përket arsimimit të komuniteteve, në veçanti të komunitetit egjiptian, në kuadër të një arsimi gjithëpërfshirës dhe cilësor për të gjithë.  

Si një nga të arriturat që do të fillojë të aplikohet që nga ky vit akademik, ministri Bajrami përmendi ndarjen e kuotës prej 12 përqind të numrit total të studentëve në universitetet publike për komunitetet joshumicë në Kosovë, e për herë të parë janë ndarë kuota edhe për studimet e doktoratës. 

Po ashtu, ministri Bajrami theksoi se në Qendrën e Studentëve në Prishtinë do të ofrohet strehim dhe ushqim falas për studentët e këtij komuniteti, ndërsa theksoi se MAShT do të punojë shumë edhe me mësimdhënësit e komunitetit egjiptian për të siguruar arsim cilësor. 

“Jemi të interesuar për një gjithëpërfshirje cilësore, sepse jemi të sigurtë që ju keni kapacitete që përmes sistemit të edukimit të dëshmoni kapacitetet tuaja, të ndërtoni karrierën tuaj dhe brenda hapësirës që ofron Republika e Kosovës, të realizoni plotësisht të drejtat tuaja, duke mbrojtur identitetin, duke mundësuar që vërtetë të keni njerëz kompetentë, të cilët nesër do të jenë të barabartë në tregun e punës”, tha ministri Bajrami. 

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.