MASHT

Ministrat Bajrami dhe Murati vizituan shtëpinë- shkollë të pronarit Mehmet Aliu- Hertica

13 Shkurt, 2017

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami dhe ministri i Diasporës, z. Valon Murati, vizituan shtëpinë-shkollë në Kodrën e Trimave, të pronarit Mehmet Aliu – Hertica.

Ministri Bajrami, me këtë rast ka vlerësuar lartë kontributin e familjes së pronarit Mehmet Aliu, i cili objektin e shtëpisë së tij e shndërroi në shkollë, në të cilën patën diplomuar dhjetë gjenerata të gjimnazit “Sami Frashëri”.

Ministri Bajrami theksoi se, në kohën e mbijetesës së shkollave shqipe, familja Hertica shtëpinë e vet e shndërroi në tempull të rezistencës, duke shënuar një moment historik të mbrojtjes së arsimit shqip.



“Është një akt madhor i kësaj familje, e cila kishte vendosur që hapësirat e veta familjare dhe tërë familjen ta vënë në përkushtim të mbrojtjes së shkollave shqipe. Nuk do të ishim të lirë dhe të pavarur po të mos ishte kjo rezistencë dhe këta veprimtarë, të cilët mundësuan mbijetesën e arsimit shqip, arsim ky i cili nuk kishte për qëllim vetëm shkollimin, por edhe përgatitjen e gjeneratës së re për luftë çlirimtare”, u shpreh ministri Bajrami. 

Ministri Bajrami po ashtu tha se, Qeveria e Kosovës do të bëjë restaurimin e këtij objekti, i cili do të jetë muze i mbijetesës së arsimit në gjuhën shqipe në kohën e okupimit.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.